

Tiranë, 19 janar 2026 — Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se një dokument i miratuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara flet qartë për korrupsionin e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën përpara Kryeministrisë, Berisha u shpreh se dokumenti i Komisionit të Jashtëm të Kongresit amerikan pasqyron, sipas tij, të gjitha shqetësimet për të cilat opozita ka protestuar dhe pritet të protestojë më 24 janar.
Ai theksoi se në dokument përmendet drejtpërdrejt kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, duke i akuzuar për bllokimin e ligjit dhe shtetit ligjor. Sipas Berishës, dokumenti e cilëson situatën si tejet problematike dhe e përshkruan skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si “eksploziv”.
“Dokumenti i miqve tanë shkruan se ajo çfarë flitet dhe del për AKSHI-n përbën kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n,” u shpreh Berisha, duke shtuar se sipas tij raporti denoncon me forcë arrestimet politike dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe Brukselit.
Kreu i PD-së e cilësoi dokumentin si historik dhe deklaroi se ai është frymëzuar nga, siç tha, guximi i qytetarëve për të mbrojtur të vërtetën. Në përfundim, Berisha u bëri thirrje mbështetësve që të intensifikojnë angazhimin, me synimin që protesta e 24 janarit të përcjellë mesazhin e opozitës edhe në arenën ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






