Transmetuar më 19-01-2026, 17:06

Një debat i gjerë publik është hapur lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), pas një reagimi zyrtar nga Rrjeti SafeJournalists, i cili ka shprehur shqetësime serioze mbi ndikimin që këto deklarata mund të kenë mbi pavarësinë dhe të ardhmen e transmetuesit publik.

Në një reagim të tij, Kryeministri Rama tha sot se deklaratat e bëra prej tij janë keqkuptuar dhe shtrembëruar, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim se ai ka lidhur financimin apo ekzistencën e RTSH-së me miratimin politik. Sipas Ramës, interpretimet e tilla janë të pasakta dhe keqorientuese, ndërsa ai fton autorët e deklaratave kritike që të lexojnë ose dëgjojnë me kujdes fjalimin e tij për të kuptuar thelbin e asaj që ka thënë.

Në këtë mënyrë Rama nuk mohon paralajmërimet që bëri para pak ditësh, por deklarata e sotme zor të shihet si tërheqje nga ajo që pati thënë më herët.

Rama kishte deklaruar se "ne nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve deri kur televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve". Këtë pohim Rama e bëri pak pasi u shpreh se pavarësisht plot investimesh dhe mbështetjes për 35 vjet RTSH është një dështim dhe shtoi se zgjidhja më e mirë është të mbyllet, duke theksuar se ky opsion është në tavolinë.

Ndërsa sot, ai tha: “Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit”, thekson Rama, duke shtuar se vërejtjet e tij nuk kanë pasur asnjë lidhje me kushtëzimin politik të financimit apo ekzistencës së transmetuesit publik.

Nga ana tjetër, Rrjeti SafeJournalists ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku shpreh shqetësim për deklaratat publike të Kryeministrit, të bëra gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas rrjetit, në këtë fjalim RTSH-ja është cilësuar si institucion i dështuar, është vënë në dyshim legjitimiteti i saj si transmetues publik dhe është përmendur mundësia e ndalimit të financimit publik, privatizimit apo edhe mbylljes.

SafeJournalists thekson se, ndonëse debati për reformimin e mediave publike është i ligjshëm, transmetuesit publikë kanë një rol thelbësor demokratik, i cili nuk mund të varet nga performanca në treg apo nga vlerësime politike. Rrjeti nënvizon se lidhja e financimit apo ekzistencës së një transmetuesi publik me “meritën” e vlerësuar nga ekzekutivi përbën një rrezik për parimin e qeverisjes në distancë (arm’s-length governance), standard kyç në praktikat evropiane të lirisë së medias.

Sipas deklaratës, edhe në mungesë të veprimeve konkrete ligjore apo buxhetore, retorika publike e tillë mund të ushtrojë presion indirekt mbi pavarësinë editoriale, të krijojë pasiguri institucionale dhe të nxisë vetëcensurë brenda redaksive. Veçanërisht shqetësues konsiderohet normalizimi i idesë së “mbylljes” së një transmetuesi publik si opsion politik.

SafeJournalists e lidh këtë çështje edhe me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se liria e medias dhe pavarësia institucionale janë kritere kyçe në kuadër të Grup-kapitullit 1 – Themeloret. Sipas rrjetit, një transmetues publik i qëndrueshëm dhe i pavarur është element thelbësor i një mjedisi informues demokratik.

Në përfundim, Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve shqiptare që çdo diskutim mbi reformimin e RTSH-së të zhvillohet përmes proceseve transparente, të mbështetura në ligj, me përfshirjen e organeve të pavarura dhe debat publik gjithëpërfshirës, duke respektuar plotësisht lirinë e shprehjes, pavarësinë e gazetarisë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Pjesa e fjalës ku Rama u ndal te RTSH në fjalimin te mbledhja e GPS (Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste)

"Dua ta veçoj këtë se është e rëndësishme lidhur me borxhin e televizionit publik. Tani e vërteta historike është që ne kemi tentuar që të krijojmë kushte që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar, me suksesin më të plotë. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm, që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje.

Ne nuk e kemi një televizion publik sot në Shqipëri, kjo është e vërteta. Kemi një kanal atje, por unë personalisht hera e fundit kur e kam parë televizionin publik shqiptar – dhe ju siguroj për këtë – është në vitin 1990 para përmbysjes kur ishin ato protestat që ata ca i thonin, ca si thonin dhe thonin huliganet dolën këtu, huliganët dolën atje, që atëherë unë televizion publik më s’kam parë.

Kam vajtur i ftuar, por ju siguroj që as veten nuk kam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave, unë nuk marr asnjë mesazh. Sepse kam shkuar në një përshpirtje atje, që quhet përshpirtje publike, por më kanë parë, i kam parë ata në sallë dhe jashtë studios nuk më ka parë njeri prandaj duhet ndarë mendja.

Drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, ata që kanë qenë atje kur ne kemi qenë në opozitë, ata që janë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh, asnjë mesazh se unë nuk e shoh dhe kur ndonjëri nga ju më çon “shoh çfarë bën televizioni publik” unë habitem si e ndjek, por ama të gjithë i kam takuar mbasi janë zgjedhur. Dhe ju kam thënë vetëm një gjë “mbylleni”. Të njëjtën gjë ju kam thënë të gjithëve. Nxirreni në ekran “televizioni publik shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar, i kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar siç jeni dhe ju të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do reflektojmë dhe do rikthehemi në ekran kur të jemi gati”. Dhe të bëjnë reformë.

Si ka mundësi që televizionet e tjera me shumë më pak buxhet bëjnë më shumë sukses? Pse? Sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duhet ta krijojnë. Televizioni publik e ka të garantuar. Jemi borxh. Po pastaj se jeni borxh, çfarë doni? E duan të drejtën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të transmetuar ndeshjet e kombëtares sepse kombëtarja duhet të dalë në televizionin publik që nuk e kemi, por leket nuk i paguajnë. Pse? Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Duke qenë se dhe ata të gjuetisë gjetën rrugën që të nxjerrin prapë çiftet shkoni dhe ju mos kapni ndonjë ashtu se aty dhe ndodhin këto gjëra. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve deri kur televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve.

Unë kështu mendoj. Kështu që mendojeni, unë mendoj që çdo gjë duhet, çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti edhe çdo gjë përveç kësaj që është, por unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë ti e di në asnjë lloj tentative për të rregulluar median.

E bëra këtë “aventurë”, thjesht dhe vetëm për pak gjëra dhe i mbeti Shqipërisë atje ai paragrafi “drafti i ligjit për median”. Ndërkohë që sot BE diskuton shumë më tepër se aq, por unë nuk e bëj këtë, nuk merrem as me televizionin shqiptar publik, as me mediat online. Ju që vuani shpifjet e tyre, merruni, unë personalisht e kam marrë parasysh që po u morëm më këtë punë, ata këtë punë kanë se këtë punë dinë të bëjnë, s’dinë të bëjnë asnjë punë tjetër. Të shpifin, të vënë gjoba edhe të sakatojnë kë të munden. Kjo është puna e tyre, jo të gjithë fatmirësisht, por në tërësi siç është bërë një sëmundje në gjithë Europën, por unë nuk merrem. Merruni ju.

Amanet Televizionin Publik…"!

Çfarë deklaroi sot Rama

Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar.

I ftoj autorët e kësaj deklarate keqorientuese ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin.

Vërejtjet e mia nuk kanë të bëjnë absolutisht aspak me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe keqorientues.

Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit.

Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit.

Çfarë deklaroi më herët Rrjeti SafeJournalists

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim lidhur me deklaratat publike të bëra këtë janar nga Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, të cilat kanë të bëjnë me rolin, financimin dhe të ardhmen e RTSH-së, transmetuesit publik Shqiptar.

Deklaratat u bënë gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, një forum politik që bashkon deputetët e shumicës qeverisëse dhe zyrtarë të lartë të ekzekutivit. Në fjalën e tij, Kryeministri e cilësoi RTSH-në si një institucion të dështuar, vuri në dyshim legjitimitetin e saj si transmetues publik dhe deklaroi se financimi publik duhet të ndalet derisa RTSH ta “meritojë” atë. Ai shtoi gjithashtu se të gjitha opsionet duhet të merren në konsideratë për të ardhmen e RTSH-së, përfshirë privatizimin dhe madje edhe mbylljen.

Ndërsa debati publik mbi efektivitetin, qeverisjen dhe reformimin e mediave të shërbimit publik është i ligjshëm, Rrjeti SafeJournalists thekson se transmetuesit publikë kanë një rol të veçantë demokratik. Mandati i tyre nuk përcaktohet nga performanca në treg apo nga miratimi politik, por nga detyrimi për t’i shërbyer interesit publik, për të garantuar informim pluralist, për të mbështetur përmbajtje kulturore dhe arsimore, si dhe për të funksionuar në mënyrë të pavarur nga presionet politike dhe tregtare.

Nga këndvështrimi i lirisë së shprehjes, lidhja e ekzistencës apo financimit të një transmetuesi publik me vlerësime ekzekutive mbi “meritën” ngre shqetësime serioze. Një qasje e tillë rrezikon të minojë parimin e qeverisjes në distancë (arm’s-length governance), i cili është thelbësor për standardet evropiane mbi lirinë e medias. Edhe në mungesë të masave të menjëhershme ligjore ose buxhetore, deklarata publike të kësaj natyre mund të ushtrojnë presion të tërthortë mbi pavarësinë editoriale, të kontribuojnë në pasiguri institucionale dhe të nxisin vetëcensurë brenda redaksive.

Rrjeti SafeJournalists është veçanërisht i shqetësuar nga normalizimi i “mbylljes” si një opsion i artikuluar publikisht për një transmetues të shërbimit publik. Në praktikën demokratike evropiane, çështja qendrore nuk është nëse mediat e shërbimit publik duhet të ekzistojnë, por se si mund të forcohen qeverisja, llogaridhënia dhe pavarësia e tyre në përputhje me standardet demokratike. Trajtimi i vazhdimësisë së ekzistencës së një transmetuesi publik si të kushtëzuar nga kënaqësia politike rrezikon të dobësojë garancitë institucionale që mbrojnë lirinë e gazetarisë.

Këto zhvillime janë gjithashtu të rëndësishme në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të Grup-kapitullit 1 – Themeloret, ku liria e medias, pavarësia institucionale dhe mekanizmat demokratikë të kontrollit dhe balancimit përbëjnë kritere kyçe. Një transmetues publik i qëndrueshëm, i pavarur dhe i mbrojtur në mënyrë adekuate është një komponent thelbësor i një mjedisi informues demokratik të qëndrueshëm.

Rrjeti SafeJournalists rikujton se kritikat ndaj performancës së medias duhet të adresohen përmes proceseve reformuese transparente, të mbështetura në ligj, përmes organeve të pavarura mbikëqyrëse dhe një debati publik gjithëpërfshirës dhe jo përmes retorikës që mund të komprometojë pavarësinë institucionale dhe të ushqejë mosbesim apo armiqësi publike ndaj RTSH-së.

SafeJournalists ka mbështetur vazhdimisht reforma strukturore që forcojnë pavarësinë editoriale dhe llogaridhënien publike të RTSH-së, duke i mundësuar njëkohësisht transmetuesit publik të transformohet në epokën digjitale dhe t’u përgjigjet në mënyrë efektive nevojave të ndryshme informative, kulturore dhe demokratike të qytetarëve veçanërisht përmes përzgjedhjes transparente dhe të ligjshme të drejtuesve, skemave të parashikueshme dhe të mbrojtura të financimit, si dhe masave të qeverisjes që mbrojnë autonominë profesionale dhe të drejtat e punës së gazetarëve.

Ne inkurajojmë autoritetet shqiptare të rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj standardeve evropiane të mediave të shërbimit publik dhe të sigurojnë që çdo diskutim mbi reformimin e RTSH-së të zhvillohet në një mënyrë që respekton plotësisht lirinë e shprehjes, pavarësinë e gazetarisë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 19 janar 2026

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit