Transmetuar më 19-01-2026, 14:55

Prokuroria ka ngritur dyshime të forta për një skemë abuzimi me daljet nga burgu të të paraburgosurit Altin Ndoci, e cila dyshohet se ka çuar në arratisjen e tij nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës.

Sipas dosjes hetimore, Ndoci ka përfituar pesë dalje nga burgu brenda një periudhe tre mujore, nga tetori 2025 deri në janar 2026, me pretendimin e vizitave mjekësore jashtë institucionit. Nga viti 2020, kur ishte vendosur në burgun e Durrësit, e deri në vitin 2024, ai ishte shoqëruar vetëm katër herë në spital për probleme shëndetësore.

Daljet e fundit janë autorizuar në këto data:

08.10.2025 – Drejtor: Ervis Dedej

24.10.2025 – Drejtor i komanduar: Edmond Llabani

26.11.2025 – Drejtor: Indrit Cerloja

18.12.2025 – Drejtor: Indrit Cerloja

13.01.2026 – Drejtor: Indrit Cerloja

Tre nga këto dalje janë kryer gjatë periudhës kur drejtimi i institucionit i ishte besuar Indrit Cerlojës, i cili aktualisht ndodhet në arrest me burg, nën dyshimet për shpërdorim detyre lidhur me këtë rast.

Prokuroria dyshon se vizitat mjekësore janë planifikuar pa pasur nevojë reale për konsulta jashtë burgut. Në dosjen hetimore thuhet se rritja e ndjeshme e frekuencës së daljeve në një periudhë të shkurtër kohore, krahasuar me historikun e mëparshëm, krijon dyshime të arsyeshme se këto vizita kanë qenë fiktive.

Një tjetër element i rëndë është fakti se këto dalje nuk janë regjistruar sipas procedurave ligjore. Sipas Prokurorisë, në asnjë rast nuk janë pasqyruar në komunikatat e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB).

Hetimet sugjerojnë se rasti i Ndocit nuk është i izoluar. Sipas informacioneve të siguruara nga SHKBB, në burgun e Durrësit dyshohet se shoqërimet për në spital të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe gjendje të mirë ekonomike janë përdorur për t’u ofruar favore, kryesisht takime speciale, kundrejt ryshfeteve për drejtuesit dhe personelin e institucioneve.

Në rastin konkret, Ndoci është dërguar në spital pa u vizituar më parë nga mjekja e burgut. Sipas Prokurorisë, rekomandimi mjekësor është firmosur vetëm mbi bazën e kërkesës së kryeinfermierit Altin Cuku. Ai është transportuar me ambulancën e burgut, së bashku me një tjetër të paraburgosur dhe vetëm me pesë punonjës sigurie, në shkelje të protokolleve që parashikojnë minimum tre punonjës për secilin të burgosur.

Pavarësisht se dyshohet për vepra të rënda penale, përfshirë edhe vrasje, Ndoci ishte vlerësuar si person pa rrezikshmëri të lartë dhe që nuk pritej të tentonte arratisjen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit