

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu për më 2 shkurt seancën e shqyrtimit paraprak të dosjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëpandehurve të tij.
Veliaj ishte i pranishëm në seancë dhe këmbënguli në kërkesën për t’u njohur me aktet e dosjes, kërkesë që u mbështet edhe nga përfaqësuesit ligjorë. Fillimisht, gjykata e cilësoi këtë kërkesë si abuzive dhe shenjë mungese vullneti për paraqitjen e parashtrimeve, duke vendosur mbylljen e shqyrtimit gjyqësor.
Megjithatë, në një moment të mëvonshëm, trupa gjykuese shfuqizoi vendimin e saj, pas kërkesës së avokates së caktuar kryesisht nga gjykata për Veliajn, Valentina Teodoresku. Ajo kërkoi autorizim për të takuar të pandehurin në ambientet e paraburgimit, si dhe kohë shtesë për të përgatitur dhe paraqitur parashtrimet me shkrim.
Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe vendosi shtyrjen e seancës për datën 2 shkurt.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






