

Koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), së bashku me shumicën e partive parlamentare shqiptare, kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, pas konstatimit të mospërputhjeve në votat preferenciale për kandidatët për deputetë.
Pas evidentimit të devijimeve në numërimin e votave, më 19 janar Prokuroria e Shtetit është vënë në lëvizje, duke urdhëruar grumbullimin e informatave dhe provave për manipulime të mundshme zgjedhore.
DnV bëri të ditur se gjatë rinumërimit të deritanishëm janë konstatuar dallime të theksuara në disa komuna, duke paralajmëruar se shmangia nga një rinumërim i plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor.
“Devijimet e evidentuara tregojnë se fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës së kandidatëve nuk mund të vlerësohet përmes rinumërimeve selektive”, tha DnV, duke shtuar se vetëm një rinumërim i plotë në të gjitha komunat garanton reflektimin e saktë të vullnetit të votuesve.
Rinumërimi dhe hetimet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 13 janar nisi rinumërimin e 914 vendvotimeve, pas një raporti verifikues që evidentoi mospërputhje në 2 për qind të tyre. KQZ pritet të diskutojë sot për zgjerimin e procesit të rinumërimit.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren autorizoi Policinë e Kosovës për të identifikuar përgjegjësit për mospërputhjet, ndërsa koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, u ka kërkuar kryeprokurorëve në të gjitha komunat që të sigurojnë prova për çdo vepër të mundshme penale të lidhur me procesin zgjedhor.
DnV kërkoi që hetimet të mos kufizohen vetëm tek komisionerët, por të përfshijnë edhe kandidatët që mund të kenë përfituar nga këto mospërputhje, për të sqaruar nëse ka pasur nxitje apo koordinim për manipulimin e votës.
Qëndrimet e partive politike
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cilësoi mospërputhjet si “tepër shqetësuese”, duke theksuar se rinumërimi i plotë është i domosdoshëm për mbrojtjen e integritetit zgjedhor. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi rinumërim të çdo kutie në çdo komunë për të hequr çdo dyshim mbi procesin. Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se rinumërimi i pjesshëm ka zbuluar një skemë manipulimi me përmasa shqetësuese dhe se pa rinumërim të plotë nuk mund të ketë besueshmëri zgjedhore.
Ndryshime në votat preferenciale janë konstatuar edhe te partitë joshumicë.
Si dyshohet se bëhet manipulimi
Sipas të dhënave, manipulimi dyshohet të ndodhë në fazën e leximit të votave për kandidatë, ku numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke bërë që sistemi elektronik të regjistrojë votë për një kandidat tjetër, ndërsa vota për partinë mbetet e pandryshuar.
Manipulimi i votës përbën vepër penale në Kosovë, por sipas një hulumtimi të organizatës ÇOHU, mbi 90 për qind e rasteve të tilla përfundojnë me dënime të buta, si gjoba apo dënime me kusht. (REL)
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






