Transmetuar më 19-01-2026, 13:25

Dibër/ Finalizohet operacioni “Twins”, arrestohen dy vëllezër të dyshuar për një ngjarje të rëndë të vitit 2018

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Twins”, duke vënë në pranga dy vëllezër, të dyshuar si të përfshirë në një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2018 në qarkun Dibër.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Si rezultat i veprimeve policore, në qytetin e Gjirokastrës u arrestuan shtetasit Kelmend Krusa dhe Klodian Krusa, të dy 39 vjeç, vëllezër, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e një shtetasi, ngjarje e ndodhur në vitin 2018 në qarkun Dibër.

Sipas njoftimit zyrtar, në vijim të hetimeve për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka siguruar prova se dy prej personave të dyshuar për këtë ngjarje ishin strehuar në Gjirokastër.

Bazuar në këto informacione, strukturat policore organizuan dhe finalizuan operacionin “Twins”, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Gjatë kontrollit të banesave të dy vëllezërve, policia sekuestroi:

3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pushkë),

1 armë të ftohtë (thikë),

3 krehëra,

municion luftarak,

1 maskë,

3 aparate celularë.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në ngjarjen e vitit 2018 apo në ngjarje të tjera kriminale.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Dibër vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit