Transmetuar më 19-01-2026, 11:50

MPJ tha se SHBA ftoi Shqipërinë si Anëtare Themeluese të “Bordit të Paqes”, si vlerësim historik për rolin ndërkombëtar të vendit tonë

Tiranë – Pak orë pasi u kthye nga Ukraina, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar publikisht lidhur me një zhvillim që ajo e cilëson me peshë të veçantë për pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Sipas saj, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes një letre zyrtare drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë të bëhet pjesë e një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, në cilësinë e Vendit Anëtar Themelues.

Në deklaratën e saj, Spiropali tha se kjo ftesë përbën një vlerësim të lartë për rolin që Shqipëria ka ndërtuar ndër vite në fushën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Ajo shton se ftesa është gjithashtu një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes.

Sipas ministres, pavarësisht rëndësisë së kësaj ngjarjeje, në opinionin publik shqiptar janë përhapur spekulime dhe interpretime të pavërteta, të cilat ajo i cilëson si përpjekje për të deformuar realitetin. Spiropali mohon kategorikisht pretendimet për kosto financiare apo për angazhime të tjera të fshehura, duke theksuar se Shqipëria është ftuar si bashkë-themeluese e një mekanizmi të ri global për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, me fokus fillestar edhe në sfida të ndjeshme si e ardhmja e Rripit të Gazës.

Ministrja nënvizon se kjo ftesë përcjell një mesazh të qartë nga administrata amerikane: madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është vendimtare, por rëndësi kanë autenticiteti, koherenca dhe aftësia për të kontribuar realisht në paqe dhe stabilitet. Ajo shton se këto janë vlera që Shqipëria i ka dëshmuar prej vitesh dhe që njihen nga partnerët ndërkombëtarë.

Duke iu referuar debatit të brendshëm politik, Spiropali shprehet se përfshirja e Shqipërisë në mesin e vendeve të ftuara është një arritje e jashtëzakonshme historike, sidomos për një vend të vogël, dhe se në vende të tjera si Argjentina apo Turqia, ftesa të ngjashme janë pritur pozitivisht pa polemika.

Sipas saj, Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re ndaj menaxhimit të konflikteve, duke synuar zgjidhje funksionale dhe afatgjata, përtej deklaratave politike formale. Ajo thekson se përvoja e Shqipërisë si vend që ka dalë nga izolimi, ka investuar në bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal, si dhe modeli i bashkëjetesës fetare, janë kontribute të rëndësishme që vendi ynë do të sjellë në këtë organizëm.

Spiropali sqaron se, sipas statutit të Bordit të Paqes, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik, duke e cilësuar ftesën jo vetëm si nder, por edhe si përgjegjësi të lartë shtetërore.

Në fund të deklaratës, ministrja thotë se kjo ftesë hedh poshtë çdo pretendim për ftohje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, duke kujtuar se në letrën e Presidentit Trump Shqipëria cilësohet si “një partner i mrekullueshëm”, ndërsa Kryeministri Rama si “një udhëheqës i respektuar ndërkombëtarisht”. /noa.al

Deklarata e plotë e Ministres Spiropali:

"Sot kam kënaqësi të ndaj me ju disa komente mbi një zhvillim me rëndësi të veçantë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, e për mënyrën sesi dinamika krejt e re e politikës sonë të jashtme në dekadën e fundit, po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.

Presidenti i SHBA Donald Trump, përmes një letre për Kryeministrin Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t’iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur "Bordi i Paqes", në cilësinë e "Vendit Anëtar Themelues".

Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.

Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtëpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i "Bordit të Paqes".

Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik.

Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie.

Pikërisht në një moment me simbolikë e peshë të veçantë, ku Shqipëria thirret si bashkë-themeluese e një qendre të re diskutimesh e vendimmarrjesh me impakt global, jo në Honolulu, po në Shtëpinë e Bardhë, periferia e skenës sonë politike përndizet a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo ftua me nderim të posaçëm.

Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë – çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë – në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord.

Tamam kur kjo ftesë e drejtëpërdrejtë e Presidentit të SHBA për Kryeministrin e Shqipërisë, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes si bashkë-themelues, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit opozitar, a thua se në Bordin e Paqes do të ulet partia e një pjese të shqiptarëve, e jo Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, kudo janë, në çdo truall ku jetojnë ata që flamur mbi të gjithë flamujt, kanë atë të Skënderbeut e të Ismail Qemalit.

E ndërkohë që ky partneritet, bosht kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe garanci e pozicionit tonë euroatlantik, fiton një kuotë të re historike dhe edhe një herë akoma, Shqipëria vlerësohet si një aleate e çmuar nga aleati i saj më i madh, SHBA, në pazarin e Tiranës politike numërohen të ftuarit, 10 jo 10 po sa, 210 jo 210 po sa, 60 jo 60 po sa, 10, jo 120…

Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga Presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme, për t’ju bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha se sa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrëfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falenderim.

E nëse për ato vende dhe të tjera në përmasat e në peshën e tyre të madhe gjeopolitike, kjo është diçka pozitive, për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme, me një përmasë e peshë historike.

Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave. Ai lind në një kohë ndryshimesh të mëdha për botën dhe ofrohet si një prirje e re që sfidon inercinë në terrenet e konflikteve të shtresëzuara me dekada të tëra, duke synuar ndërtimin e një paqeje që funksionon dhe i reziston kohës.

Ne e shohim këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve.

Përvoja jonë si vend që ka dalë nga një errësirë e thellë, ka lënë pas raporte të vështira dhe ka investuar në paqe, bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal pa kufinj, por më lejoni të shtoj, edhe modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, janë një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit.

Sipas Statutit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore. Madje mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe shtetërore.

Më vjen vërtet keq për nevojën për të komentuar edhe politikisht, nuk do doja, kur në fakt ky i Bordit të Paqes s’ishte fare rasti për t’i mbushur kanalet e portalet me opozitarizmin e shiut e të borës, po ishte në rastin më opozitar momenti për të heshtur.

Por besoj se kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së Presidentit Trump ndaj qeverisë sonë apo vetë kryeministrit Rama, të cilat kulmuan me agresionin dizinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA-ve për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA-të kanë marrëdhënie diplomatike.

Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën “SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit