Transmetuar më 19-01-2026, 11:14

Qeveria e Irakut ka njoftuar se forcat amerikane kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga të gjitha objektet ushtarake në territorin federal të vendit, me përjashtim të Rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit, ku prania amerikane do të vazhdojë.

Ministria irakiane e Mbrojtjes bëri të ditur se kontingjenti i fundit i këshilltarëve ushtarakë amerikanë është larguar nga Baza Ajrore Al-Asad, në provincën Anbar, në perëndim të Irakut. Kjo bazë kishte strehuar trupa amerikane për më shumë se dy dekada.

Tërheqja është rezultat i një procesi gradual, i nisur prej vitesh, pas kërkesës zyrtare të qeverisë irakiane në vitin 2023 për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në vend.

Sipas deklaratës zyrtare, edhe koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA për luftën kundër ISIS-it është tërhequr nga selia e Komandës së Operacioneve të Përbashkëta, duke ia kaluar plotësisht kontrollin forcave të sigurisë irakiane.

Megjithatë, forcat amerikane mbeten të dislokuara në Bazën Ajrore Harir, në provincën Erbil, brenda Rajonit të Kurdistanit. Ky rajon gëzon status federal autonom, me institucione të veta qeverisëse dhe forca sigurie, të njohura nga Kushtetuta e Irakut, dhe nuk kontrollohet plotësisht nga qeveria qendrore në Bagdad.

Prania ushtarake amerikane në Irak ka pësuar ndryshime të mëdha që nga pushtimi i vitit 2003. Në kulmin e saj, SHBA kishte rreth 170 mijë trupa në vend. Në vitin 2011, administrata e ish-presidentit Barack Obama urdhëroi tërheqjen e forcave, por rreth 5 mijë trupa u rikthyen në vitin 2014, me kërkesë të qeverisë irakiane, për të ndihmuar në luftën kundër ISIS-it.

Që nga dhjetori i vitit 2021, kur SHBA shpalli përfundimin e rolit të saj luftarak në Irak, rreth 2,500 trupa amerikane kanë qëndruar në vend në një rol këshillues dhe mbështetës.

Ministria e Mbrojtjes e Irakut publikoi pamje video që tregojnë komandantë të lartë ushtarakë irakianë duke inspektuar ambientet tashmë bosh të Bazës Ajrore Al-Asad. Ndërkohë, Komanda Qendrore e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes konfirmoi për CNN se deklarata e Bagdadit mbi dorëzimin e bazës ishte “faktike”.

Tërheqja vjen në një klimë tensionesh të larta rajonale mes SHBA-së dhe Iranit. Baza Al-Asad ka qenë shpesh objekt sulmesh nga grupe të mbështetura nga Teherani. Në janar të vitit 2020, Irani lëshoi raketa balistike drejt bazës, në hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron në Bagdad.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit