

Durrës, 19 janar 2026
Babai i tre fëmijëve të mitur që u gjetën të braktisur në një banesë në Durrës dhe të prekur nga zgjebja, Denis Hajmerraj, i është drejtuar Gjykatës së Durrësit duke kërkuar heqjen e kujdestarisë nga nëna dhe kalimin e saj tek ai.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se kërkesë-padia është depozituar në sekretarinë e gjykatës, ku Hajmerraj pretendon se ish-bashkëshortja e tij, Blerina Basha, nuk është në gjendje fizike, sociale, emocionale dhe ekonomike për të garantuar rritjen dhe kujdesin e tre fëmijëve të mitur.
Sipas padisë, babai ka paraqitur prova dokumentare dhe materiale, përfshirë fatura financiare nga institucione arsimore në Breshia, Itali, ku fëmijët kanë ndjekur rregullisht shkollën gjatë periudhës kur kanë jetuar me të.
Po ashtu, në gjykatë janë dorëzuar edhe video të publikuara në rrjetet sociale “TikTok” dhe “Instagram”, të cilat, sipas pretendimeve të paditësit, tregojnë se nëna nuk kujdeset për fëmijët, ndërsa angazhohet në transmetime “live” në rrjete sociale.
Një tjetër argument i paraqitur është fakti i udhëtimeve të shpeshta jashtë vendit nga ana e Blerina Bashës, pa praninë e fëmijëve. Për këtë, babai ka dorëzuar të dhëna nga sistemi TIMS, ku evidentohen lëvizjet e saj jashtë Shqipërisë, ndërkohë që fëmijët kanë mbetur të vetëm në banesë.
Në ditët në vijim pritet të hidhet shorti elektronik për përzgjedhjen e gjyqtarit që do të shqyrtojë çështjen e kujdestarisë.
Rasti i tre fëmijëve të mitur shkaktoi reagim të fortë publik dhe mediatik, pasi ata u gjetën fillimisht nga fqinjët e pallatit, ndërsa më pas gjyshja e tyre konstatoi kushtet e rënda higjieno-sanitare në të cilat fëmijët kishin jetuar të vetëm për disa ditë. Fëmijët kishin rreth një muaj e gjysmë pa ndjekur shkollën.
Pas publikimit të rastit, nëna e fëmijëve, Blerina Basha, u procedua penalisht nga Policia e Durrësit për veprën penale “keqtrajtimi i të miturve”.
Ndërkohë, bëhet me dije se rasti ishte referuar më herët nga psikologia e shkollës “Bajram Curri” në Bashkinë e Durrësit për marrjen e masave sociale, por sipas burimeve, institucionet vendore nuk kishin ndërhyrë deri në momentin kur ngjarja u bë publike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






