

Durrës, 19 janar 2026 – ora 10:00
Gjykata e Durrësit ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, Indrit Cërloj, i arrestuar tre ditë më parë në lidhje me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci.
Cërloj akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa masa e sigurisë ishte vendosur fillimisht më 16 janar dhe u la sërish në fuqi nga gjykata. Po ashtu, gjykata konfirmoi masën “arrest shtëpie” për mjeken Ylvete Sema, 65 vjeçe, e përfshirë në të njëjtën çështje.
Ngjarja ndodhi gjatë shoqërimit të Altin Ndocit për një kontroll mjekësor në spitalin e qytetit të Durrësit, nga ku ai arriti të arratisej. Një ditë pas ngjarjes, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari firmosi shkarkimin e Indrit Cërloj nga detyra si drejtor i IEVP Durrës, si dhe pezullimin e të gjithë zinxhirit komandues të institucionit.
Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Në kuadër të hetimeve, janë arrestuar gjithsej 8 punonjës, mes tyre efektivë të Policisë së Burgjeve dhe staf mjekësor:
Komisar Dezdemon Pazaj
Komisar Violeta Uka
Kryeinspektor Dorjan Saraçi
Inspektor Sali Ferrollari
Inspektor Fatjon Braçi
Inspektor Preng Marvataj
Kryeinspektor Aranit Çela
Kryeinfermier Aulon Quku
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të arratisjes vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






