

Operacioni “Operacionalja”/ Kapen në Tiranë dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet ekstradimi drejt Kosovës
Policia e Shtetit vijon operacionet e njëpasnjëshme për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e DPPSh-së ka finalizuar gjatë 24 orëve të fundit dy faza të tjera të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.
Bëhet fjalë për fazat Operacionalja 78 dhe Operacionalja 79, në kuadër të të cilave janë lokalizuar, kapur dhe ndaluar në Tiranë dy shtetas, me qëllim ekstradimin e tyre drejt autoriteteve të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses këto dy faza të operacionit. Gjatë veprimeve policore, në qytetin e Tiranës, u bë ndalimi i shtetasve R. B. dhe G. H., banues në Tiranë.
Të dy këta shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK/Kosovë, më datë 13.01.2026, kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tyre. Ata dyshohen për përfshirje në veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, vepër e parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës.
Shtetasit e ndaluar ndodhen aktualisht në pritje të procedurave ligjore dhe janë ndaluar me qëllim ekstradimi drejt Kosovës.
Policia e Shtetit bën me dije se vijon puna në bashkëpunim me autoritetet kompetente, për përfundimin e plotë të procedurës së ekstradimit të tyre drejt autoriteteve kosovare, ndërkohë që operacioni “Operacionalja” mbetet aktiv për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






