

Paris, 18 janar 2026 – Një dokumentar i ri me pamje ekskluzive nga grabitja spektakolare në Muzeun e Luvrit, e cila ndodhi më 19 tetor 2025, pritet të nxjerrë në dritë momentet e para të sulmit, ndërsa misteri i bizhuterive të vjedhura vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Sipas gazetës “Le Parisien”, në fragmentet e publikuara nga videoja që do të shfaqet në emisionin “Sept à Huit”, një prej autorëve të grabitjes shfaqet duke u përpjekur të thyejë xhamin e një vitrineje. Në pamje, ai përdor një mjet për të goditur xhamin dhe më pas e sulmon atë me grushte, në përpjekje për të kapur bizhuteritë brenda.
Në momentin që xhami fillon të dëmtohet, i veshur me një jelek të verdhë dhe të zeza, ai kthehet drejt bashkëpunëtorit të tij për të kërkuar ndihmë. Së bashku, ata tentojnë të çmontojnë një vitrinë të dytë, me qëllim që të largojnë sende të tjera të vlefshme nga ekspozita.
Grabitja e Luvrit, e cila tronditi botën e artit dhe turizmit, mbetet një nga rastet më misterioze të vitit, pasi akoma nuk dihet se ku ndodhen bizhuteritë e zhdukura dhe cili është fat i tyre. Dokumentari pritet të hedhë më shumë dritë mbi mënyrën se si u realizua vjedhja dhe si u arratisën autorët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






