Transmetuar më 18-01-2026, 22:47

Itali, 18 janar 2026 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur rajonin e Anguilar, rreth 30 kilometra nga Roma, ku një grua 40-vjeçare u gjet e vrarë dhe e varrosur në një fushë pranë një kompanie bujqësore, pas një mungese prej dhjetë ditësh.

Sipas prokurorëve italianë, viktima Federica Torzullo është vrarë brenda shtëpisë nga bashkëshorti i saj, Claudio Carlomanio, i cili deri më sot në mesditë kishte mohuar çdo përfshirje në ngjarje.

Karabinierët nisën hetimet pas zhdukjes së gruas dhe, gjatë kontrollit në zonë, gjetën trupin e saj të varrosur në një fushë që i përkiste kompanisë bujqësore në pronësi të autorit. Sipas mediave italiane, gjatë gërmimeve u pa pjesërisht dora e viktimës duke dalë nga dheu, çka konfirmoi dyshimet e hetuesve.

Viktima dhe autori jetonin në të njëjtën shtëpi, megjithatë miqtë kanë deklaruar se ata ishin ndarë. Telefoni celular i Federicës kishte pushuar së përgjigjuri dhjetë ditë më parë, duke shënuar edhe ditën e fundit të kontaktit me të.

Gjatë hetimeve, karabinierët vunë re sjellje të dyshimta nga Claudio Carlomanio, i cili u pa disa orë më vonë duke larë një kamion që përdorte për punë. Në vendin e ngjarjes dhe në ambientet e punës u gjetën njolla gjaku, ndërsa gjurmë të tjera të ngjashme u zbuluan edhe në shtëpi dhe në uniformat e tij.

Carlomanio u arrestua dhe u dërgua në burgun e Civitavecchia-s, rreth 80 km në veri të Romës. Avokati i tij ka deklaruar se klienti i tij kishte synuar të paraqitej vetë në stacionin e policisë, por u ndalua para se të kishte mundësi.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes dhe motivin e krimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit