Transmetuar më 18-01-2026, 18:38

Tiranë – 18 janar 2026 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi ditën e sotme turin e foltoreve në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku u zhvillua një takim me mbështetës dhe struktura të partisë.

Gjatë këtij takimi, fjalën e mori edhe kryetari i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, i cili më herët kishte marrë pjesë edhe në takimin e organizuar nga Ervin Salianji në Durrës.

Në fjalën e tij, Alimehmeti kritikoi ashpër qeverinë dhe politikat shtetërore, duke u ndalur te problematikat që, sipas tij, po përballen banorët e zonës së Kombinatit. Ai theksoi se po synohet shembja e banesave për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave, duke e cilësuar këtë si një qasje të dëmshme për komunitetin.

“Këtë shtet e ka kapluar e keqja. Jemi të kapur nga narkotrafiku, të rinjtë po largohen nga vendi dhe qytetarët po humbasin shpresën. Për këtë arsye duhet të angazhohemi më shumë,” u shpreh Alimehmeti.

Më tej, ai bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e thirrur nga Partia Demokratike më 24 janar, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm politik. Sipas tij, PD është parti e fjalës së lirë dhe ky parim duhet të reflektohet në veprimet konkrete të opozitës.

Alimehmeti vuri në dukje edhe rolin e strukturave të partisë, duke i cilësuar ato si shtyllën kurrizore të Partisë Demokratike dhe si urë lidhëse mes qytetarëve dhe selisë qendrore. “PD ka numra të mëdhenj, por mbi të gjitha ka nevojë për besim. Fitorja është e përbashkët, edhe kur kemi mendime të ndryshme,” përfundoi ai.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit