Transmetuar më 18-01-2026, 16:34

Lezhë, 18 janar 2026 Gjykata e Apelit ka vendosur zbutjen e masës së sigurisë për çiftin Agustin dhe Valbona Prenga, të arrestuar pasi akuzohen se kanë dhënë dëshmi të rreme në procesin gjyqësor për dy vrasje të ndodhura në vitin 1997 në Lezhë.

Apeli ka caktuar masën “detyrim paraqitjeje” për bashkëshortët Prenga, të cilët ishin thirrur si dëshmitarë në rigjykimin e çështjes penale që lidhet me vrasjen e Ardian dhe Majlinda Gjergjit, kjo e fundit motra e Valbona Prengës.

Sipas dosjes gjyqësore, të dy bashkëshortët ishin konsideruar dëshmitarë okularë, pasi në deklarimet e dhëna vite më parë kishin pohuar se kishin parë Gjovalin Lesin duke qëlluar me armë zjarri ndaj dy viktimave. Megjithatë, gjatë dëshmisë së dhënë së fundmi në Gjykatën e Lezhës, ata kanë ndryshuar qëndrim, duke deklaruar se nuk kanë qenë të pranishëm në vendngjarje dhe se nuk kanë dijeni direkte për ngjarjen.

I pandehuri Gjovalin Lesi, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, u ekstradua drejt Shqipërisë vitin e kaluar, çka ka sjellë rihapjen dhe rishikimin e vendimit penal. Ai akuzohet se gjatë një konflikti ka vrarë me armë zjarri motrën dhe kunatin e tij.

Bashkëshortët Prenga, të dyshuar për veprën penale “Dëshmi e rreme”, fillimisht ishin vënë nën masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Ata kërkuan zëvendësimin e masës me garanci pasurore, duke argumentuar se jetojnë prej vitesh në Greqi dhe se Valbona Prenga është nën trajtim mjekësor në këtë shtet.

Gjykata e Apelit ka marrë në konsideratë jo vetëm rrethanat shëndetësore, por edhe faktin se vepra për të cilën po hetohen nuk konsiderohet e rëndë, si dhe nevojën që çiftit të mos i cenohet jetesa normale jashtë vendit, duke vendosur kështu lehtësimin e masës së sigurisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit