

Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë mesatar të inteligjencës në botë, duke u pozicionuar në vendin e 19-të globalisht dhe e para në Ballkan, sipas të dhënave të publikuara nga International IQ Test.
Rreth 1.2 milionë persona nga dhjetëra shtete të botës kanë marrë pjesë në testimin ndërkombëtar të IQ-së, i cili synon matjen e nivelit mesatar të inteligjencës sipas vendeve. Të dhënat tregojnë se në 84.8% të shteteve të analizuara, rezultati mesatar i IQ-së ka ndryshuar me më pak se dy pikë nga viti në vit, duke reflektuar një stabilitet të përgjithshëm të këtij treguesi.
Shqipëria në elitën globale
Sipas renditjes, Shqipëria ka arritur një mesatare prej 101 pikësh IQ, rreth 4 pikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ky rezultat e pozicionon vendin tonë në vendin e 19-të nga gjithsej 137 shtete të përfshira në studim, duke e bërë Shqipërinë vendin me IQ-në mesatare më të lartë në Ballkan dhe në rajon.
Pas Shqipërisë renditet Serbia, në vendin e 32-të me 99.8 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi pozicionohen përkatësisht në vendin e 45-të dhe 51-të. Bosnje dhe Hercegovina renditet e fundit në rajon, në vendin e 67-të. Vendet me IQ-në më të lartë në botë
Renditja globale dominohet nga vendet aziatike. Koreja e Jugut mban vendin e parë si shteti me IQ-në më të lartë në botë, e ndjekur nga Kina dhe Japonia. Këto vende njihen për investime të forta në arsim, teknologji dhe kërkim shkencor, si dhe për zhvillim të shpejtë ekonomik dhe inovativ.
Në Evropë, rezultatet më të larta regjistrohen nga Rusia dhe Spanja, të cilat kryesojnë kontinentin për sa i përket mesatares së IQ-së. Në fund të renditjes
Në skajin e poshtëm të listës globale renditen disa shtete të Afrikës dhe Azisë Juglindore, si Ruanda, Timor Leste dhe Somalia. Sipas ekspertëve, këto rezultate lidhen ngushtë me faktorë si varfëria, mungesa e aksesit në arsim cilësor, konfliktet e gjata dhe investimet e pamjaftueshme në shëndetësi dhe zhvillim social.
Të dhënat e fundit e pozicionojnë Shqipërinë si një surprizë pozitive në rang global, duke reflektuar potencialin intelektual të popullsisë dhe përmirësimet e vazhdueshme në arsim dhe zhvillim shoqëror.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






