

Ka hyrë në fuqi ligji i ri, i publikuar në Fletoren Zyrtare si pjesë e paketës fiskale, i cili shtrin në mënyrë të qartë aktivitetin ekonomik edhe në internet, duke vendosur rregulla të detyrueshme për influencerët, blogerët dhe të gjithë individët që gjenerojnë të ardhura online.
Sipas ndryshimeve ligjore, çdo person që fiton të ardhura nga aktiviteti në rrjete sociale apo platforma online konsiderohet subjekt tregtar dhe është i detyruar të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Po ashtu, këta individë duhet të publikojnë në faqen ose profilin e tyre të dhënat bazë identifikuese, si NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktet.
Si do të identifikohen subjektet online
Administrata tatimore do t’i identifikojë këta individë kryesisht përmes të ardhurave të depozituara në llogaritë bankare, si dhe përmes monitorimit të aktivitetit në rrjete sociale. Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore parashikojnë që, pas një njoftimi zyrtar nga tatimet, influencerët dhe personat publikë do të kenë detyrimin të formalizojnë aktivitetin e tyre.
Audituesi ligjor Avni Tobli thekson se ky është një standard që tashmë aplikohet për çdo biznes.“Edhe unë si biznes i kam të ekspozuara këto të dhëna, duke filluar nga NIPT-i, adresa dhe informacioni i subjektit. Edhe influencerët duhet t’i kenë të publikuara në llogaritë e tyre sociale. Madje, sot janë vetë bizneset bashkëpunuese që ua kërkojnë këtë, pasi në fund duhet një faturë për pagesat e kryera,” – shprehet ai.
Masa të ashpra për moszbatim
Ligji parashikon masa të forta ndëshkuese për ata që refuzojnë zbatimin. Nëse brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit zyrtar nuk publikohen të dhënat e kërkuara, administrata tatimore i kërkon Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bllokimin e llogarive në rrjete sociale, si dhe vendosjen e gjobave administrative.
Informalitet i lartë në ekonominë online
Nevoja për këto ndryshime u diktua nga kontrollet e administratës tatimore. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm nga monitorimi vjetor janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale që gjatë vitit 2025 kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare individuale.
Ekspertët vlerësojnë se këto shifra tregojnë rritjen e shpejtë të ekonomisë online në Shqipëri, por edhe nivele të larta informaliteti, të cilat përmes këtij ligji synohet të integrohen plotësisht në sistemin tatimor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






