Transmetuar më 18-01-2026, 11:46

18 Janar 2026, 11:35

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj raportimeve mediatike lidhur me përfshirjen e Shqipërisë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes” i Presidentit amerikan Donald Trump, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe keqinformuese.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama mohoi kategorikisht pretendimet se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro apo se palestinezë do të strehohen në vend. “GËNJESHTËR Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro. GËNJESHTËR Palestinezët do të vijnë në Shqipëri”, shkruan ai, duke theksuar se në Bord janë ftuar të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Kryeministri akuzon një pjesë të mediave dhe aktorëve politikë për, siç shprehet ai, “bubullimë” dhe “zhurmë të qëllimshme”, sa herë që Shqipëria nderohet në arenën ndërkombëtare. Sipas Ramës, reagimet negative burojnë nga “mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë”, ndërsa i konsideron kritikat si shenjë e një Shqipërie të vjetër që po lë vend për një imazh të ri të vendit.

“Shqipëria që po ndërtojmë është një Shqipëri tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht”, shprehet ai, duke theksuar se për të rëndësi ka besimi i shumicës së shqiptarëve dhe respekti i liderëve ndërkombëtarë.

Rama e mbyll reagimin e tij me një mesazh simbolik, duke nënvizuar se kritikat e ashpra janë tregues i ecjes përpara të vendit: “Sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit