Transmetuar më 18-01-2026, 11:52

Rama: Shqipëria nuk do të paguajë 1 miliard euro për Bordin e Paqes, lajmet janë gënjeshtra

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj raportimeve dhe komenteve mediatike lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes të iniciuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, duke i cilësuar ato si spekulime dhe gënjeshtra.

Në një deklaratë publike, Rama mohoi kategorikisht se Shqipëria do të paguajë tarifën prej 1 miliard eurosh për pjesëmarrjen në këtë bord, duke theksuar se një pretendim i tillë nuk ka asnjë bazë reale.

“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort, sa të duket sikur në Bordin e Paqes nuk është ftuar Shqipëria, por një vend armik i saj”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë një sërë pretendimesh që, sipas tij, po qarkullojnë në opinionin publik:

Se në Bordin e Paqes janë ftuar vetëm disa shtete – gënjeshtër, pasi janë ftuar të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Se Shqipëria do të paguajë 1 miliard euro – gënjeshtër.

Se palestinezët do të vendosen në Shqipëri – gënjeshtër.

Sipas Ramës, e vërteta është shumë më e thjeshtë sesa ajo që “pjell mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë”, veçanërisht sa herë që Shqipëria nderohet në arenën ndërkombëtare.

Ai e cilësoi reagimin politik dhe mediatik si një shenjë të “Shqipërisë së vjetër”, ndërsa theksoi se vendi po ndërton një “Shqipëri tjetër”, të respektuar dhe dinjitoze në sytë e botës.

“Për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve që më kanë mbajtur katër herë në krye të shtetit dhe respekti i atyre që janë në majat e botës dhe të Europës, për të nderuar Shqipërinë”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për vendin, duke përdorur metaforën se “sa më shumë lehin qentë, aq më përpara shkon karvani”, në referencë ndaj kritikave dhe polemikave që kanë shoqëruar këtë çështje. /noa.al

Deklarata nga Edi Rama:

Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë!

🌪️Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB

❌GËNJESHTËR

🌪️Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO

❌GËNJESHTËR

🌪️Palestinezët do të vijnë në Shqipëri

❌GËNJESHTËR

E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë:

Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht.

Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.

Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani😅

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit