

Durrës – Dyshohet se kishte shënjestër për atentat, arrestohet 24-vjeçari i armatosur në shëtitoren e plazhit. Bashkë me të një i dytë në pranga
Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar në Durrës, ku Policia ka arrestuar një 24-vjeçar nga Kavaja, i cili dyshohet se po lëvizte i armatosur me qëllime të rrezikshme.
Operacioni policor i koduar “PURPOSE”, i finalizuar nga Komisariati i Policisë Durrës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, u zhvillua pas informacioneve se një shtetas po qarkullonte drejt Durrësit me motomjet, i pajisur me armë zjarri.
Sipas burimeve policore, 24-vjeçari Çim Kazazi u ndalua në lagjen nr. 13, në zonën e shëtitores së plazhit. Gjatë kontrollit, në sediljen e motomjetit iu gjet një pistoletë Glock me municion luftarak, të cilat u sekuestruan si prova materiale. Po ashtu, u sekuestrua edhe motomjeti me të cilin ai qarkullonte.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu kishte një objektiv konkret, ndërsa Prokuroria dhe Policia po punojnë për të zbardhur se kë synonte dhe çfarë ngjarjeje po përgatitej. Për momentin, autoritetet nuk japin detaje për shënjestrën e dyshuar, por konfirmojnë se ndërhyrja e shpejtë e Policisë shmangu një rrezik serioz.
Në pranga u vu edhe pasagjeri që ndodhej në motomjet, shtetasi F. M., 24 vjeç, i cili po procedohet penalisht për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe për të përcaktuar motivin dhe shënjestrën e dyshuar të lëvizjes së armatosur. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






