Transmetuar më 18-01-2026, 10:43

Fier/ Operacioni “Skadenca”: Arrestohet 42-vjeçari që tregtonte ilaçe të skaduara dhe kontrabandë

Policia e Fierit ka goditur një rast të rëndë të hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të futura kontrabandë, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Skadenca”, pas një hetimi disamujore të ndjekur me metoda speciale.

Si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë 42-vjeçari Bojken Bregovina, banues në Fier, i cili dyshohet se magazinonte në banesën e tij medikamente të ndryshme, një pjesë e konsiderueshme e të cilave të skaduara, ndërsa pjesa tjetër pa faturë tatimore, të futura kontrabandë, dhe më pas i hidhte në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi financiar.

Sekuestrohen mbi 4 mijë kuti medikamentesh

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. B., të autorizuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale:

1635 kuti me ilaçe të skaduara

2654 kuti me medikamente pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë

Në total, u sekuestruan 4289 kuti medikamentesh të ndryshme, të cilat paraqesnin rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.

Hetim disamujore dhe arrestim në flagrancë

Nga hetimet ka rezultuar se 42-vjeçari, prej një periudhe të gjatë kohore, grumbullonte dhe magazinonte barna të skaduara, duke i futur më pas në qarkullim në tregun farmaceutik lokal, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi B. B. u arrestua në flagrancë.

Veprat penale

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale:

“Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”

“Fshehja e të ardhurave”

“Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”

“Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”

Policia vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë, si dhe farmacitë që dyshohet se janë furnizuar me këto medikamente. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit