

Durrës, 18 janar 2026 Policia e Durrësit ka finalizuar fazën e 13-të të operacionit policor të koduar “Storm”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të shfrytëzimit për prostitucion.
Pas një hetimi dyjavor me metoda speciale, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, ka ndërhyrë në dy apartamente të marra me qira në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, dhe në zonën e Plazhit, lagjja nr. 13, të cilat dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e prostitucionit.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasja L. H., 52 vjeçe, lindur dhe banuese në Armeni, e dyshuar si organizatore e kësaj veprimtarie kriminale. Ajo akuzohet për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Gjithashtu, u procedua penalisht një shtetase 22-vjeçare nga Peruja, si dhe tre shtetas shqiptarë nga qarku i Durrësit, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjatë ndërhyrjes, shtetaset e huaja kanë refuzuar të hapin dyert e apartamenteve, të cilat u hapën me ndihmën e punonjësve të Shërbimit Zjarrfikës.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi dy pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, karta telefoni dhe blloqe shënimesh.
Nga veprimet hetimore rezultoi se apartamentet ishin përshtatur posaçërisht për ushtrimin e prostitucionit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






