

Tiranë, 18 janar 2026 Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj pretendimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, duke i cilësuar këto deklarata si dezinformim dhe keqinterpretim të qëllimshëm të realitetit.
Gjatë fjalës së tij në podkastin “Flasim”, Rama sqaroi se SHBA nuk ka vendosur asnjë ndalim për vizat turistike apo të biznesit për qytetarët shqiptarë, por ka aplikuar një pezullim të përkohshëm që lidhet vetëm me lejet e punës dhe qëndrimit për qëllime punësimi.
Sipas kryeministrit, kjo masë është pjesë e politikës së administratës së presidentit Donald Trump dhe prek rreth 75 vende në mbarë botën, përfshirë disa shtete të Ballkanit, mes tyre edhe Kosovën. Vendimi është marrë pas konstatimit të rasteve të shkeljes së afateve të qëndrimit nga persona që kanë hyrë në SHBA me viza turistike apo biznesi.
“Amerika nuk i ka ndaluar vizat për Shqipërinë. Bëhet fjalë për një pezullim të përkohshëm të lejeve të punës, jo të vizave”, theksoi Rama, duke shtuar se interpretimet e gabuara kanë krijuar panik dhe konfuzion të panevojshëm në opinionin publik.
Ai nënvizoi se qytetarët që udhëtojnë ligjërisht për turizëm apo biznes nuk preken nga kjo politikë dhe se nuk ka asnjë ndryshim në regjimin e vizave për këto kategori.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






