

Tiranë, 18 janar 2026Çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme në rrethe do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026, duke sjellë një rritje të ndjeshme të kostove për subjektet ndërtuese dhe, si pasojë, shtrenjtim të çmimeve të apartamenteve, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në Bashkinë e Kamzës.
Ashtu siç ndodhi në Tiranë në vitin 2023, rritja e referencave do të ndikojë drejtpërdrejt në shtimin e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Kryetari i Bordit Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH), Erjon Harizi, thekson se çdo rritje e çmimeve të referencës përkthehet automatikisht në rritje të kostos së ndërtimit.
“Po aq për qind sa rriten referencat, rritet edhe kostoja për ndërtuesit. Kjo kosto reflektohet drejtpërdrejt në çmimet e shitjes së apartamenteve,” shprehet Harizi.
Sipas tij, përveç taksës së ndikimit në infrastrukturë, një tjetër faktor presioni mbi çmimet është rritja e kostos së fuqisë punëtore, ndërsa çmimet e materialeve të ndërtimit paraqiten relativisht të qëndrueshme.
Rritje ekstreme e referencave në zonat bregdetare
Sipas hartës së re të çmimeve, rritja më e lartë e referencave arrin deri në 196% për zonën kadastrale pranë Portit të Durrësit, ku po zhvillohet edhe projekti “Durrës Yachts Marina”. Në këtë zonë, çmimi i referencës për metër katror do të rritet nga 67,5 mijë lekë në 200 mijë lekë.
Në Vlorë, Sarandë dhe Himarë, rritja e çmimeve të referencës arrin deri në 79%, ndërsa në Himarë, për zonën kadastrale nr.1, çmimi rritet me 141%, duke arritur në 140 mijë lekë për metër katror.
Saranda ndahet në pesë zona kadastrale, ku për zonat më të kërkuara çmimi arrin 100 mijë lekë për metër katror. Ndërsa Vlora ndahet në shtatë zona, me rritjen më të lartë në ishullin e Sazanit.
Ishulli i Sazanit përfshihet për herë të parë në hartën e çmimeve të referencës, pas prezantimit të projektit rezidencial nga kompania “Affinity Partners” e sipërmarrësit Jared Kushner. Çmimi i referencës për këtë zonë arrin në 200 mijë lekë për metër katror, ose 233% më shumë krahasuar me çmimet e mëparshme të Vlorës.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë dyfishon barrën për ndërtuesit
Në Durrës, ku taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtime banimi është 8%, rritja e referencave pritet të dyfishojë detyrimin fiskal për ndërtuesit. Për një objekt rezidencial me sipërfaqe 100 mijë metra katror pranë Portit të Durrësit, detyrimi i taksës rritet nga rreth 540 milionë lekë në afërsisht 1 miliard lekë pas hyrjes në fuqi të çmimeve të reja.
Taksa paguhet para zbardhjes së lejes së ndërtimit dhe llogaritet mbi vlerën referuese për metër katror, sipas metodologjisë së miratuar nga qeveria.
Të huajt do të shtyjnë çmimet e bregdetit në rritje deri në 2030
Përveç rritjes së referencave, çmimet e pronave në bregdet pritet të shtyhen më tej nga kërkesa në rritje e blerësve të huaj. Administratori i “Century 21 Albania”, Jonian Antoni, parashikon se kërkesa nga të huajt do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2026, duke e bërë shtrenjtimin e çmimeve të pashmangshëm deri në vitin 2030.
Sipas tij, rritja vjetore e çmimeve në bregdet pritet të luhatet nga 4% deri në 12%, në varësi të zonës. Mbi 60% e blerjeve në zonat bregdetare realizohen aktualisht nga të huaj dhe diaspora.
Në vitin 2025, çmimet e pronave në bregdet u rritën nga 20% deri në 67%, me rritje më të fortë në zona si Lungomare, Radhimë, Orikum, Golem, Qerret dhe Sarandë.
Tirana shfaq shenja mbingopjeje, çmimet pritet të mbeten të qëndrueshme
Ndryshe nga bregdeti, tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po shfaq shenja mbingopjeje. Sipas agjencive imobiliare, oferta e lartë rrezikon të krijojë stoqe apartamentesh të pashitura nëse nuk menaxhohet me kujdes gjatë vitit 2026.
“Çmimet në Tiranë kanë qenë të qëndrueshme nga fundi i vitit 2024 deri në fund të 2025 dhe nuk parashikojmë rritje për vitin 2026,” thotë Antoni, duke shtuar se kërkesa mbetet rreth 20% më e ulët se dy vite më parë, por ende më e lartë se para pandemisë.
Sipas tij, kërkesa pritet të jetë më e fortë në zonat periferike, ku çmimet janë më të përballueshme, si Paskuqani, Kamza, Unaza e Madhe dhe zona e Aviacionit.
Kamza pritet të ndjejë më fort efektin e referencave
Kryetari i SHNSH, Erjon Harizi, parashikon se në vitin 2026 sektori i ndërtimit do të ruajë stabilitetin, me rritje të lehtë. Megjithatë, ai thekson se zonat periferike të Tiranës, veçanërisht Kamza, do të përjetojnë rritje çmimesh për shkak të rritjes së referencave.
“Në qendër të Tiranës çmimet kanë arritur në 3,000–3,500 euro për metër katror dhe hapësirat për zhvillime të reja janë të kufizuara. Rritjet e reja priten kryesisht në periferi,” shprehet Harizi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






