

Tiranë, 18 janar 2026 Ekonomia shqiptare pritet të ofrojë mundësi të favorshme investimi edhe gjatë vitit 2026, veçanërisht në sektorë me rritje të qëndrueshme dhe kthim relativisht të shpejtë të kapitalit.
Kështu vlerëson një raport i publikuar së fundmi nga qendra ALTAX, sipas të cilit sektorët me potencialin më të lartë përfitimi janë energjia diellore dhe shërbimet energjetike, përfshirë impiantet fotovoltaike dhe bateritë, pasuritë e paluajtshme funksionale si magazinat logjistike dhe ambientet e biznesit, turizmi cilësor përmes bujtinave, agro-përpunimi si dhe shërbimet profesionale digjitale.
Raporti thekson se Shqipëria vijon të mbetet një treg me potencial të lartë investimi, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe aksesit në fonde ndërkombëtare zhvillimi.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht ritmit të qëndrueshëm të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të sektorëve strategjikë, vendi përballet ende me sfida strukturore që kërkojnë kujdes të shtuar nga investitorët.
Si rreziqe kryesore përmenden korrupsioni dhe mungesa e transparencës, sidomos në proceset e tenderimit, problematikat me të drejtat e pronësisë dhe menaxhimin e tokës, ineficienca administrative që ngadalëson zbatimin e projekteve dhe procedurat ligjore, si dhe rreziqet gjeopolitike e klimaterike, të cilat kërkojnë planifikim afatgjatë për të minimizuar humbjet.
Në raport vihet në dukje gjithashtu se Ligji për Investimet Strategjike është zgjatur deri në dhjetor 2026, duke ofruar disa lehtësira fiskale, por njëkohësisht duke mbartur rrezikun e pabarazive dhe praktikave korruptive.
Në këtë kontekst, mesazhi i ekspertëve për investitorët është i qartë: të fokusohen te bizneset që gjenerojnë flukse të rregullta parash, që janë të qëndrueshme pa subvencione dhe të shmangin investimet e varura drejtpërdrejt nga politika.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






