Transmetuar më 18-01-2026, 08:03

SHBA, 18 janar 2026 Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po u kërkon shteteve që synojnë një vend të përhershëm në një strukturë të re ndërkombëtare, të quajtur “Bordi i Paqes”, të kontribuojnë me të paktën 1 miliard dollarë.

Sipas një draft-statuti të parë nga Bloomberg, Trump do të shërbejë si kryetar inaugurues i bordit dhe do të ketë kompetencën të vendosë se cilat shtete ftohen për anëtarësim. Dokumenti parashikon që vendimet të merren me shumicë votash nga shtetet anëtare, por të gjitha do t’i nënshtrohen miratimit përfundimtar të kryetarit.

Drafti përcakton se çdo shtet anëtar do të ketë një mandat trevjeçar, me mundësi rinovimi nga kryetari. Megjithatë, ky kufizim nuk do të zbatohet për vendet që kontribuojnë më shumë se 1 miliard dollarë brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e kartës, duke siguruar kështu një status praktikisht të përhershëm.

Kritikët kanë ngritur shqetësime se iniciativa e Trump mund të shihet si një përpjekje për të krijuar një strukturë rivale ndaj Kombeve të Bashkuara, institucion që ai e ka kritikuar vazhdimisht gjatë karrierës së tij politike.

Sipas dokumenteve, Bordi i Paqes përshkruhet si një organizatë ndërkombëtare që synon promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në zona të prekura ose të rrezikuara nga konflikti. Ai do të bëhej zyrtar pasi të paktën tre shtete të miratojnë kartën themeluese.

Trump ka ftuar disa liderë botërorë, përfshirë presidentin e Argjentinës Javier Milei dhe kryeministrin e Kanadasë Mark Carney, për të marrë pjesë në një nënstrukturë të veçantë të Bordit të Paqes për Gazën. Ky plan ka hasur kritika, përfshirë edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili deklaroi se detajet nuk ishin koordinuar me Izraelin.

Burime diplomatike bëjnë me dije se disa vende evropiane janë ftuar të bashkohen, por kanë shprehur rezerva të forta ndaj draftit aktual, veçanërisht për shkak të rolit dominues të kryetarit në kontrollin e fondeve dhe vendimmarrjen.

Një zyrtar amerikan konfirmoi për Bloomberg se shtetet mund të bashkohen edhe pa pagesë, por tarifa prej 1 miliard dollarësh garanton anëtarësim të përhershëm. Fondet, sipas administratës amerikane, do të përdoren për rindërtimin e Gazës dhe për zbatimin e mandatit të bordit.

Draft-statuti parashikon që Bordi i Paqes të mblidhet të paktën një herë në vit për votime, si dhe të zhvillojë takime tremujore pa votim me bordin ekzekutiv. Trump do të ketë gjithashtu të drejtën të largojë një anëtar, përveç rasteve kur dy të tretat e shteteve anëtare vendosin veto ndaj këtij vendimi.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar tashmë një panel të parë ekzekutiv, ku përfshihen Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, Jared Kushner dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair. Blomberg

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit