

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, iu bashkua protestave të zhvilluara pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kanë dislokuar trupa në ishullin Arktik.
Trump bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të vendosin tarifa 10% për mallrat e eksportuara nga vendet e NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Norvegjinë, Suedinë, Holandën dhe Finlandën. Ai paralajmëroi se këto tarifa do të rriten në 25% nga data 1 qershor, nëse nuk arrihet një marrëveshje për atë që e cilësoi si “blerje të plotë dhe totale të Groenlandës”.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump akuzoi vendet evropiane se “kanë udhëtuar drejt Groenlandës për qëllime të panjohura”, duke e përshkruar situatën si “jashtëzakonisht të rrezikshme për sigurinë dhe mbijetesën e planetit”. Ai shtoi gjithashtu se Kina dhe Rusia kanë interesa strategjike në Groenlandë dhe se, sipas tij, “Danimarka nuk mund të bëjë asgjë për ta ndaluar këtë”.
Në reagim ndaj këtyre deklaratave, kryeministri i Groenlandës u shfaq në protestat kundër kërcënimeve të SHBA-së, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve dhe për pasojat që këto masa mund të kenë për stabilitetin e ishullit dhe jetën e popullsisë lokale. Ai theksoi nevojën për dialog dhe respekt të sovranitetit të Groenlandës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






