

Austri, 17 janar 2026
Pesë skiatorë kanë humbur jetën në Austri pas dy ortekëve të ndodhur brenda pak orësh në Alpet austriake, ndërsa moti i keq dhe reshjet e dendura të dëborës vijojnë të rrisin rrezikun në zonat malore të Europës.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua të shtunën në rajonin Pongau të Salzburgut, ku një ortek i fuqishëm goditi një grup prej shtatë skiatorësh. Si pasojë, katër persona humbën jetën, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital.
Rreth një orë e gjysmë më vonë, një tjetër ortek përfshiu një skiator tjetër në të njëjtën zonë, i cili u plagos për vdekje, duke e çuar në pesë numrin e viktimave vetëm në Austri.
Autoritetet raportojnë se moti ekstrem ka shkaktuar të paktën nëntë viktima në Alpe gjatë javës së fundit. Të martën, një djalë 13-vjeçar nga Çekia humbi jetën pasi u përfshi nga një ortek në vendpushimin e skive Bad Gastein. Ndërkohë, të dielën e kaluar, një skiator 58-vjeçar u vra nga një ortek në rajonin e Tirolit.
Situata mbetet shqetësuese edhe në vendet fqinje. Në Zvicër, një shtetas gjerman humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën gjatë skijimit në zona jashtë pistave të kontrolluara. Ndërsa në Francë, fundjavën e kaluar, gjashtë skiatorë humbën jetën në ortekë të ndodhur në disa zona të Alpeve franceze.
Autoritetet alpine u kanë bërë thirrje skiatorëve dhe alpinistëve të shmangin zonat e rrezikshme dhe të respektojnë paralajmërimet për rrezik të lartë nga ortekët, ndërsa kushtet e motit pritet të mbeten të paqëndrueshme edhe në ditët në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






