Transmetuar më 17-01-2026, 20:41

Tiranë, 17 janar 2026

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se ligji për barazinë gjinore do të jetë akti i parë ligjor që PD do të shfuqizojë nëse vjen në pushtet. Deklarata u bë gjatë dëgjesave të Foltores së PD-së me mbështetësit në zonën e Laprakës.

Gjatë diskutimeve, një qytetare e pranishme e cilësoi ligjin si të rrezikshëm, që sipas saj cenon vlerat tradicionale. Berisha i dha të drejtë qytetares, duke theksuar se Partia Demokratike ka qenë kundër këtij ligji që në momentin e miratimit të tij nga mazhoranca.

Sipas Berishës, ligji për barazinë gjinore synon, sipas tij, “shkatërrimin e familjes tradicionale” dhe përfaqëson një ndërhyrje të papranueshme në strukturën shoqërore.

“Ligji i parë që do të rrëzojmë është ai për barazinë gjinore. Këta duan të shuajnë familjen. Do ta çojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse e dimë se nuk do ta pranojnë”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se opozita është e vendosur të ndjekë edhe rrugën e referendumit për shfuqizimin e këtij ligji, duke e cilësuar atë si më ekstrem se teoritë marksiste.

“Këta duan ta zhdukin fare familjen tradicionale. Por ne nuk do ta lejojmë dhe sapo të vijmë në pushtet do ta shfuqizojmë këtë ligj”, deklaroi kreu i PD-së.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur ligji për barazinë gjinore ka nxitur debate të forta politike dhe shoqërore, duke u konsideruar nga mazhoranca si një hap drejt përputhjes me standardet evropiane, ndërsa nga opozita si një kërcënim për vlerat tradicionale familjare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit