

Tiranë, 17 janar 2026 Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, një iniciativë e re ndërkombëtare e ideuar nga presidenti amerikan Donald Trump, me synim administrimin e përkohshëm dhe rindërtimin e territorit pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se ndihet “shumë i nderuar” nga ftesa personale e presidentit Trump dhe thekson se Shqipëria do të përfaqësohet si anëtare themeluese e këtij bordi ndërkombëtar. Sipas tij, ky zhvillim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rritjen e rolit dhe ndikimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se kjo ftesë është edhe një reflektim i marrëdhënieve të forta të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, sipas tij, janë forcuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. “Nuk mund të jem më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një vend të respektuar botërisht si asnjëherë më parë”, shprehet Rama, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Thank you, Mr. President. God bless Albania and the United States”.
Çfarë është Bordi i Paqes për Gazën
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar krijimin e “Bordit të Paqes” për Gazën, një strukturë e re që synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm dhe procesin e rindërtimit të territorit pas konfliktit. Sipas Shtëpisë së Bardhë, bordi është pjesë e planit me 20 pika të Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe do të kryesohet nga vetë presidenti amerikan.
Mes anëtarëve themelues të bordit përfshihen Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, ish-kryeministri britanik Tony Blair, i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, Jared Kushner, drejtuesi i një fondi investimesh Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga dhe këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare Robert Gabriel. Anëtarë të tjerë pritet të emërohen në javët në vijim.
Paralelisht, është parashikuar krijimi i një Force Ndërkombëtare Stabilizimi për garantimin e sigurisë dhe çarmatimin e plotë të Hamasit, si dhe një komitet teknokratik palestinez për administrimin e përditshëm të Gazës pas luftës. Ndërkohë, situata në terren vijon të mbetet e brishtë, mes shkeljeve të armëpushimit dhe një krize të rëndë humanitare në territor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






