

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, që synon goditjen e një rrjeti mashtrimi përmes call center-ave, i cili dyshohet se ka zhvatur miliona euro nga qytetarë të Bashkimit Europian.
Sipas burimeve zyrtare, tre personat e shpallur në kërkim janë vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, të cilët dyshohet se janë organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Skema e mashtrimit operonte përmes një qendre telefonike në zemër të Tiranës, e njohur si call center, me zyra në kullën “4Ever Green”. Aktiviteti kriminal u zbulua fillimisht nga programi investigativ italian “Le Iene”, i cili ka dokumentuar mënyrën e funksionimit të këtij rrjeti.
Gazetarët e emisionit, shumë i ndjekur në Itali, kanë infiltruar persona të ndryshëm në periudha të ndryshme kohore, të cilët janë punësuar si agjentë telefonikë brenda call center-it. Përmes kësaj metode, ata kanë arritur të sigurojnë prova dhe informacione të detajuara mbi mënyrën sesi organizohej mashtrimi nga Tirana, duke shënjestruar qytetarë në Itali dhe shtete të tjera europiane.
Hetimet tregojnë se përmes kësaj skeme janë përfituar shuma të konsiderueshme financiare, ndërsa SPAK dhe autoritetet italiane vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në rrjet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






