Transmetuar më 17-01-2026, 16:42

Ngricat e ditëve të para të vitit 2026 kanë shkaktuar dëme të rënda në bujqësi. Në zonën e Zharrëzës, në Patos, fermeri Fatjon Asllani është detyruar të flakë rreth 30 tonë domate, pasi prodhimi i tij u shkatërrua plotësisht nga temperaturat nën zero.

Asllani bën me dije se ngricat kanë goditur rëndë serat, duke mos lënë asnjë mundësi shpëtimi për prodhimin. Ai shprehet se një dëm i tillë nuk është përjetuar asnjëherë më parë, pavarësisht se ka pasur humbje edhe nga përmbytjet në vite të mëparshme.

Sipas tij, dëmi financiar kap vlerën mbi 2 milionë lekë të reja, një goditje e rëndë për ekonominë familjare. Fermeri thekson se nuk ka më mundësi financiare për të vijuar aktivitetin dhe se, pa ndërhyrjen e shtetit, rrezikon falimentimin.

“Kur erdha në sera më 1 janar, pashë gjithë prodhimin të shkatërruar. Gjithçka ishte ngrirë, nuk kishte më asgjë për të shpëtuar. Kam pësuar dëme edhe nga përmbytjet, por kjo është goditja më e rëndë. Shpresa ime e vetme është dëmshpërblimi. Nëse nuk do të kem ndihmën e shtetit, jam i falimentuar. Nuk kam asnjë mundësi tjetër,” deklaroi Asllani.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit