Transmetuar më 17-01-2026, 16:01

Himarë – Aksident fatal në kantierin e ndërtimit në Palasë, humb jetën një punëtor

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në kantierin e ndërtimit në fshatin Palasë, në Himarë, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë procesit të punës, raporton noa.al duke cituar burime nga Policia.

Sipas informacioneve që jep policia, Elidon Pashaj, 26 vjeç, duke kryer manovra me një mjet fadromë, dyshohet se ka aksidentuar shtetasin Kreshnik Haska, 45 vjeç, i cili ishte punëtor.

Burime nga Policia e Shtetit thanë se ngjarja ndodhi në kantierin e ndërtimit të kompleksit turistik Green Coast në Palasë. Kompania Balfin, pjesë e të cilës është Green Coast, duke kontaktuar me noa.al tha se ngjarja ka ndodhur në nyjen e betonit të kompanisë Ankor aty pranë.

Si pasojë e dëmtimeve të rënda të marra, 45-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë transportit për në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Pak pas ngjarjes, shtetasi Elidon Pashaj, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. /noa.al

Foto arkivi

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit