

Agrinio, Greqi – 17 janar 2026 – Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Greqinë, ku një shtetas 44 vjeç ka vrarë me armë gjahu një 51-vjeçar në fshatin Spathohori, në zonën e Agrinios.
Sipas burimeve policore, viktima, babai i një fëmije të mitur dhe kryeplak i fshatit, është qëlluar për vdekje me çifte. Autoritetet greke sqarojnë se ngjarja nuk lidhet me detyrën e tij publike, por dyshohet se ka pasur një prapaskenë sentimentale.
Hetimet paraprake tregojnë se autori kishte një lidhje intime me bashkëshorten e viktimës, çka dyshohet të ketë qenë shkaku i konfliktit fatal. Sipas policisë, 44-vjeçari i kishte ngritur pritë viktimës dhe, sapo ky u afrua me automjetin e tij, e qëlloi me armë gjahu, të cilën e posedonte me leje, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas të shtënave, automjeti i viktimës ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë, ku u gjet më vonë nga banorët e zonës.
Disa orë pas krimit, autori ka kontaktuar vetë autoritetet policore, duke pranuar autorësinë dhe duke shprehur dëshirën për t’u dorëzuar. Ai ka deklaruar se ishte i penduar për veprimin e kryer. Arma e krimit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Hetimet nga autoritetet greke vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të çështjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






