Transmetuar më 17-01-2026, 14:29

Tiranë, 17 janar 2026 – Një investigim i përbashkët i emisionit italian Le Iene dhe gazetarëve të emisionit “Piranjat” ka zbuluar një skemë të gjerë mashtrimi ndaj shtetasve italianë, e cila operonte përmes call center-ave në Tiranë, nën mbulimin e investimeve në Forex Trading.

Si rezultat i këtij investigimi, u bë kallëzim penal në SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ndërhynë në një godinë në rrugën “Myslym Shyri”, e përshtatur për zyra dhe aktivitete private. Ambientet shërbenin si call center, ku realizohej mashtrimi financiar.

Sipas hetimit, skema niste me një investim fillestar prej 250 eurosh, ndërsa viktimave u prezantohej një llogari e rreme me vlerë 50 mijë euro. Për të tërhequr këtë shumë fiktive, qytetarët detyroheshin të kryenin transferta të njëpasnjëshme, duke shumëfishuar dëmin financiar.

Investigimi dokumenton se grupi kriminal ndryshonte vazhdimisht vendndodhjen, emrin e kompanisë dhe kontaktet, për të shmangur zbulimin. Fillimisht aktiviteti operonte nën emrin “Prodata”, ndërsa në momentin e ndërhyrjes së autoriteteve funksiononte si INFINITE SHPK.

Një bashkëpunëtor i infiltruar i gazetarëve arriti të punonte për disa ditë në call center, duke dokumentuar mënyrën e funksionimit të skemës dhe duke siguruar prova të rëndësishme. Sipas të dhënave të mbledhura, grupi dyshohet se përvetësonte deri në 20 milionë euro në muaj përmes mashtrimit.

Operacioni i ndërhyrjes rezulton të jetë dekonspiruar, pasi në momentin e kontrollit ambientet ishin bosh dhe pajisjet elektronike ishin larguar me urgjencë, duke ngritur pikëpyetje mbi lidhjet dhe mbështetjen e mundshme që mund të ketë pasur grupi kriminal.

Hetimet nga SPAK dhe BKH vijojnë për identifikimin e personave përgjegjës dhe zbardhjen e plotë të kësaj skeme mashtrimi ndërkombëtar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit