

Mister në ajër: Avion me 11 persona humb kontaktin me radarët, në zhvillim operacion kërkimi
Autoritetet indoneziane kanë nisur pasdrekën e sotme një operacion kërkimi për të lokalizuar një avion të vogël me 11 persona në bord, me të cilin është humbur kontakti teksa fluturonte mbi pjesën lindore të Indonezisë. Siç citon noa.al, këtë e kanë bërë të ditur për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) burime nga ekipet e shpëtimit.
Avioni, në pronësi të kompanisë ajrore Indonesia Air Transport, ishte nisur nga Yogyakarta, në ishullin Java, me destinacion Makassar, në Sulawesi Jugore. Në bord ndodheshin tre pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.
Kontakti me avionin u ndërpre pak pas orës 13:00 me orën lokale (07:00 me orën e Shqipërisë).
Shefi i shërbimit lokal të kërkim-shpëtimit, Muhammad Arif Anuar, deklaroi se ekipet janë dislokuar në një zonë malore të rajonit Maros, rreth 42 kilometra larg kryeqendrës provinciale Makassar, aty ku u regjistrua për herë të fundit sinjali i avionit.
Në operacionin e kërkimit nga toka dhe ajri po marrin pjesë forcat ajrore, policia dhe vullnetarë, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar përpjekjet për gjetjen e mjetit fluturues.
Nga ana e tij, drejtori i operacioneve të shërbimit të kërkim-shpëtimit në Makassar, Andi Sultan, bëri të ditur se në zonë janë dërguar një helikopter dhe dronë, me qëllim lokalizimin sa më të shpejtë të avionit.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi fatin e personave në bord, ndërsa kërkimet vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






