

Dibër/Mat – Polumbarët e RENEA-s, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe institucione të tjera, vijojnë prej datës 10 janar 2026 kërkimet intensive në lumin Mat për gjetjen e shtetasit Jurgen Karaj, 30 vjeç, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars dhe më pas është transportuar nga uji drejt lumit Mat.
Në operacionin e kërkimit janë angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Komisariati i Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare dhe familjarë të 30-vjeçarit.
Kërkimet po zhvillohen përgjatë shtratit të lumit nga të dyja anët, me qëllim krehjen e zonës dhe verifikimin e çdo piste të mundshme.
Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 30-vjeçarit.
Policia e Dibrës, së bashku me polumbarët e RENEA-s, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat e tjera të përfshira, vijojnë operacionin me intensitet të lartë dhe pa ndërprerje, me qëllim lokalizimin dhe gjetjen e shtetasit Jurgen Karaj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






