Transmetuar më 17-01-2026, 12:44

Golem – Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përmbytjet e fundit në disa zona të vendit nuk janë shkaktuar vetëm nga faktorët natyrorë, por edhe nga veprimtaria e njeriut, duke vënë theksin te mungesa e përgjegjshmërisë qytetare.

Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Golem, Rama u shpreh se kushtet e vështira atmosferike të ditëve të para të vitit, të ndikuara nga ndryshimet klimatike, kanë krijuar situata emergjente në një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit.

Sipas tij, reshjet intensive dhe fenomenet e pazakonta atmosferike janë shoqëruar edhe me probleme të shkaktuara nga hedhja e mbetjeve plastike në rrugë dhe hapësira publike, çka ka sjellë bllokimin e kanaleve të kullimit.

“Situata u ndërlikua edhe nga papërgjegjshmëria qytetare, ku mbetjet plastike hidhen pa kriter dhe përfundojnë duke bllokuar pikat kyçe të rrjetit të kullimit”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se kjo dukuri, e kombinuar me mungesën e menaxhimit të mbetjeve në disa zona rurale, ka agravuar pasojat e përmbytjeve, duke përmendur raste konkrete në Shkozet, Gjirokastër dhe zona të tjera të vendit.

Ai shtoi se emergjencat natyrore po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe po marrin një profil tjetër për shkak të ndryshimeve klimatike, ndaj kërkohet bashkëpunim më i ngushtë mes pushtetit qendror, pushtetit vendor dhe qytetarëve për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.

Takimi në Golem u zhvillua në kuadër të përcaktimit të prioriteteve dhe sfidave kryesore për vitin 2026, me fokus menaxhimin e emergjencave dhe përmirësimin e infrastrukturës së kullimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit