

17 Janar 2026
Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405–17 janar 1468), i njohur si “Zot i Arbërit” dhe figurë kyçe në historinë shqiptare dhe atë evropiane.
Skënderbeu hyri në histori si një strateg i shquar ushtarak, i cili me një ushtri të vogël arriti të përballonte dhe të mposhtte forcat osmane më të organizuara dhe më moderne për kohën. Ai shënoi një kthesë vendimtare në organizimin politik dhe bashkimin e shqiptarëve, duke ngritur një frymë rezistence që vazhdoi për dekada.
Pas çlirimit të Krujës më 28 nëntor 1443, Skënderbeu ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars 1444 mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë, ku hodhi themelet e një shteti arbëror dhe të bashkimit kombëtar.
Forcat shqiptare me në krye Skënderbeun fituan një sërë betejash vendimtare kundër ushtrive osmane në Pollog, Dibër, Ohër, Domosdovë, luginat e Shkumbinit, Ujin e Bardhë, Livad pranë Ohrit dhe Vajkal. Lufta e tij jo vetëm mbrojti vendin dhe popullin shqiptar, por ndaloi edhe avancimin osman drejt Evropës, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë, por emri dhe veprat e tij mbeten një simbol i guximit, unitetit dhe qëndresës së shqiptarëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






