Transmetuar më 17-01-2026, 08:29

Nga ky muaj ka nisur zbatimi i sistemit bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorike në Shqipëri, duke sjellë për herë të parë penalizim financiar për drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar aksidente dhe përfitime për ata me histori të pastër drejtimi.

Sipas këtij sistemi, drejtuesit që kanë shkaktuar dëme gjatë vitit të kaluar do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në vitin pasardhës. Për një dëm të vetëm aplikohet një rritje prej 18 për qind, ndërsa për dy ose më shumë dëme, penaliteti arrin në 39 për qind mbi primin bazë. Në të kundërt, drejtuesit që nuk kanë shkaktuar asnjë dëm gjatë vitit 2025 do të përfitojnë një bonus prej rreth 3 për qind, duke ulur çmimin e sigurimit të detyrueshëm TPL.

Kompanitë e sigurimit vlerësojnë se rreth 96 për qind e drejtuesve të mjeteve do të përfitojnë nga ulja e primit për vitin 2026, ndërsa vetëm 4 për qind do të penalizohen për shkak të përgjegjësisë në aksidente. Për pasojë, efekti financiar për tregun e sigurimeve pritet të jetë negativ, me një ulje të të ardhurave nga primet e shkruara bruto në vlerën 4.5–5 milionë euro.

Zbatimi i bonus-malus ishte parashikuar në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit që nga viti 2021, por u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores për faktorët e riskut, e cila hyri në fuqi në vitin 2025. Me përfshirjen e këtij mekanizmi, sistemi i sigurimeve synon të lidhë drejtpërdrejt koston e sigurimit me sjelljen reale të drejtuesve në rrugë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 12 muajve të fundit janë lidhur rreth 747 mijë kontrata sigurimi të detyrueshëm motorik. Nga ky total, rreth 30 mijë drejtues mjetesh pritet të paguajnë prime më të larta në vitin 2026, ndërsa mbi 700 mijë të tjerë do të përfitojnë ulje të çmimit të sigurimit.

Sigurimi i detyrueshëm motorik TPL mbetet produkti kryesor i tregut të sigurimeve në Shqipëri, duke përbërë mbi gjysmën e primeve të shkruara bruto dhe pjesën më të madhe të dëmeve të paguara. Autoritetet dhe siguruesit vlerësojnë se sistemi bonus-malus do të ndikojë jo vetëm në çmimet e sigurimit, por edhe në rritjen e përgjegjshmërisë së drejtuesve të mjeteve dhe në përmirësimin e sigurisë rrugore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit