Transmetuar më 16-01-2026, 22:09

Tiranë, 16 janar 2026 Viti 2025 ka shënuar nivele rekord të çmimeve të qirave të banesave në Shqipëri, duke e bërë veçanërisht Tiranën gjithnjë e më të vështirë për t’u përballuar për familjet, të rinjtë dhe studentët. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), vetëm në muajin dhjetor qiratë u rritën me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritja më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Ekspertët e tregut imobiliar flasin për një efekt zinxhir, ku shtrenjtimi i çmimeve të shitjes së banesave po reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e qirave. Sipas konsulentit imobiliar Orgest Beti, apartamentet e blera me çmime të larta dalin automatikisht në treg me qira më të shtrenjta.

“Në momentin që një apartament blihet shtrenjtë, ai do të jepet shtrenjtë edhe me qira. Pas vitit 2021 patëm një volum shumë të madh ndërtimesh, të cilat tani kanë hyrë në tregun imobiliar dhe kanë ndikuar në strukturën e ofertës”, shprehet Beti.

Një tjetër faktor vendimtar në rritjen e qirave është turizmi. Zgjerimi i përdorimit të platformave si Airbnb dhe Booking ka reduktuar ndjeshëm numrin e apartamenteve të disponueshme për qira afatgjata, duke rritur presionin mbi çmimet.

“Një pjesë e madhe e apartamenteve që do të ishin për qira ose për shitje janë zhvendosur drejt platformave turistike. Kjo e bën shumë më të vështirë gjetjen e një apartamenti në zona të përshtatshme për studentë, çifte apo familje të reja”, thekson Beti.

Sa i përket perspektivës për ulje apo stabilizim të çmimeve, ekspertët janë skeptikë. Sipas tyre, standardi i banesave është rritur ndjeshëm, duke përfshirë mobilim cilësor, arredim luksoz dhe pallate të reja me kualitet më të lartë ndërtimi, çka e mban të lartë koston e qirave.

Aktualisht, në zonat periferike të Tiranës, qiratë për apartamente 1+1 nisin nga 250 euro, ndërsa në zonat më afër qendrës çmimet rriten ndjeshëm. Zona si Fresku, Paskuqani apo segmentet pranë autostradës drejt Durrësit mbeten relativisht më të lira, por diferenca me qendrën e kryeqytetit është e ndjeshme.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, rritja e qirave ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen e inflacionit. Sipas INSTAT, shtrenjtimi mesatar vjetor i qirave ishte 4.5% krahasuar me vitin 2024, ndërsa çmimet e apartamenteve u rritën me ritme edhe më të forta, duke arritur gati 41% vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit