

Kryeministri Edi Rama ka shprehur kritika të ashpra ndaj dy institucioneve kyçe të shtetit shqiptar, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Televizionit Publik Shqiptar, gjatë një fjalimi të gjatë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Rama e cilësoi Ministrinë e Jashtme si një tjetër dështim të madh të qeverisë, duke theksuar se institucioni nuk është reformuar kurrë dhe nuk i përgjigjet sfidave aktuale të diplomacisë moderne. Sipas tij, edhe ndryshimet ligjore të bëra deri më tani kanë qenë vetëm formale dhe pa ndikim real.
“Ministria e Jashtme është si Televizioni Publik Shqiptar. Është një tjetër dështim i madh i yni. Ligji që bëmë nuk ishte reformë, ishte makijazh. Ligji duhet të hapë rrugën për reformë, për të futur ajrin e pastër”, deklaroi kryeministri.
Në tone ironike, Rama u shpreh se funksionimi i dikasterit lë për të dëshiruar, duke thënë se sa herë që viziton ministrinë i krijohet përshtypja se aty punojnë vetëm ministrja, sekretarja dhe roja. Ai kritikoi gjithashtu bllokimin e gradave diplomatike dhe mungesën e angazhimit real të strukturave të diplomacisë.
Një tjetër fokus i fjalimit ishte diaspora shqiptare, të cilën Rama e cilësoi si pjesë të rëndësishme të elektoratit dhe një aset të pashfrytëzuar siç duhet nga diplomacia shqiptare. Kryeministri kërkoi angazhim më të madh të institucioneve, përfshirë Kuvendin dhe grupet parlamentare të miqësisë, për të mbajtur kontakte të vazhdueshme me shqiptarët jashtë vendit.
Në të njëjtën linjë kritike, Rama u ndal edhe te Televizioni Publik Shqiptar, të cilin e quajti një “dështim të suksesshëm”, duke theksuar se nuk duhet të financohet më nga taksat e qytetarëve pa një reformim të thellë të funksionimit dhe misionit të tij.
Fjalimin e tij, kryeministri e mbylli duke theksuar se këto dy institucione mbeten prioritetet e tij personale për reformë. “Dy amanetet e mia janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Televizioni Publik Shqiptar”, u shpreh Rama, duke sinjalizuar se priten ndryshime të thella në të ardhmen.
"Amanet Televizionin Publik dhe Ministrinë e Jashtme!", përfundoi Rama.
Pjesa e plotë ku Rama flet për MPJ:
Vijmë tek ligji i shërbimit diplomatik. Folëm këtu. Ministria e Jashtme është si Televizioni Shqiptar, është një tjetër dështim i madh i yni. E ua thashë, e kam thënë dhe po ua them se nuk është një gjë që nuk e dimë, nuk është një institucion në funksion të gjithë këtyre sfidave. Nuk është. Pse? Sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që u bë si reformë, nuk ishte reformë, ishte ‘’tualet’’, domethënë makijazh. Dhe ne nuk e kemi një shërbim diplomatik sot në lartësinë e sfidave të mëdha që ka bota dhe Shqipëria. Kështu që ligji duhet të jetë i tillë që të hapë rrugën për reformë, të hapë rrugën për të futur ajrin e pastër, për të futur njerëz të rinj. Shqipëria sot ka njerëz plot, jashtë në Diasporë dhe mos harroni, do vij dhe te Diaspora, që Diaspora është pjesë e elektoratit aktiv në Shqipëri, nuk shërbejnë dot në ato përfaqësitë tona se nuk kanë statusin ‘’grata’’ e ku di unë se çfarë. Dhe ‘’gratat’’ janë ‘’marrë peng’’ nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit që as televizion nuk është ai, se ata as nuk dalin, nuk dihet kush janë, ku janë, sa janë, ça bëjnë. Unë sa herë shkoj atje në atë ministri, më duket sikur aty është ministri, sekretarja dhe ai roja që më shoqëron deri atje ndërkohë që nga muret e nga korridoret del një jehonë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






