

Deklaratat e forta të kryeministrit Edi Rama ndaj Radio Televizionit Shqiptar po hapin një debat të gjerë publik, duke sjellë në vëmendje edhe precedentin grek të mbylljes së transmetuesit publik.
Gjatë një mbledhjeje sot me ministrat dhe deputetët socialistë, Rama e cilësoi Radio Televizioni Shqiptar si një dështim total, duke deklaruar se sot Shqipëria nuk ka më televizion publik funksional. Ai theksoi se të gjitha përpjekjet për reformim kanë dështuar dhe se gjendja aktuale është e papranueshme.
“Çdo opsion duhet të jetë në tryezë: mbyllja përfundimtare, privatizimi, partneriteti – gjithçka, përveç kësaj gjendjeje që është sot,” u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria nuk do të japë më fonde publike pa meritë.
Qëndrimi i kryeministrit sjell paralelizma të drejtpërdrejta me rastin e ERT në Greqi, rrjeti radioteleviziv shtetëror i cili u mbyll më 11 qershor 2013 nga qeveria greke si pjesë e masave shtrënguese gjatë krizës ekonomike.
Atëherë, transmetimet u ndërprenë brenda ditës, mijëra punonjës u larguan nga puna dhe vendimi shkaktoi reagime të forta brenda dhe jashtë vendit. Pas disa muajsh, ERT u rihap me një strukturë dhe ligj të ri.
Rama e quajti RTSH-në “si Televizioni Shqiptar i dikurshëm”, një institucion i pareformuar, me borxhe dhe pa audiencë reale. Ai hodhi idenë që drejtuesit e RTSH-së të kërkojnë ndjesë publike ndaj qytetarëve për shërbimin e dobët të ofruar ndër vite.
Sipas tij, problemi nuk lidhet me presion politik, por me mungesë performance dhe vizioni, ndërsa televizione private me buxhete shumë më të vogla arrijnë rezultate më të mira.
Mesazhi i Ramës duket i drejtpërdrejtë: nëse reforma nuk funksionon, edhe mbyllja e televizionit publik mund të jetë një opsion real, ashtu siç ndodhi në Greqi.
"Amanet Televizionin Publik dhe Ministrinë e Jashtme!", tha Rama.
Pjesa e fjalës ku ndalet te RTSH
"Unë kështu mendoj. Unë e di që ju qan zemra për mediat, mua më qan dhe më shumë se kam qenë dhe unë si puna jote atje i mediave, por unë jam pak ndryshe. Kështu që mendoni, unë mendoj që çdo gjë duhet, çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti edhe çdo gjë përveç kësaj që është, por unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë ti e di në asnjë lloj tentative për të rregulluar median. E bëra këtë “aventurë”, thjesht dhe vetëm për pak gjëra dhe i mbeti Shqipërisë atje ai paragrafi “drafti i ligjit për median”. Ndërkohë që sot BE diskuton shumë më tepër se aq, por unë nuk e bëj këtë, nuk merrem as me televizionin shqiptar publik, as me mediat online. Ju që vuani shpifjet e tyre, merruni, unë personalisht e kam marrë parasysh që po u morëm më këtë punë, ata këtë punë kanë se këtë punë dinë të bëjnë, s’dinë të bëjnë asnjë punë tjetër. Të shpifin, të vënë gjoba edhe të sakatojnë kë të munden. Kjo është puna e tyre, jo të gjithë fatmirësisht, por në tërësi siç është bërë një sëmundje në gjithë Europën, por unë nuk merrem. Merruni ju."
Çfarë ndodhi në Greqi më 2013
Qeveria e Greqisë mbylli rrjetin radioteleviziv shtetëror ERT më 11 qershor 2013 si pjesë e masave të ashpra të kursimit gjatë krizës së borxhit.
Vendimi u mor nga qeveria konservatore e kryeministrit Antonis Samaras, dhe transmetimet e radios dhe televizionit publik u ndërprenë brenda ditës.
Mbi 2 500 punonjës humbën vendet e punës dhe shumë prej tyre vazhduan të transmetojnë online përkohësisht në shenjë proteste. Kjo lëvizje shkaktoi reagime masive brenda vendit dhe ndërkombëtare dhe u quajt një goditje për lirinë e medias.
ERT u mbyll, duke lënë në rrugë 2,656 punonjës në të gjithë Greqinë dhe shumë të tjerë që punonin në prodhimet e tjera të saj (kinema, dokumentarë, seriale etj.. Pas disa muajsh, ERT u rikthye si transmetues publik më 7 nëntor 2013, pas një situate të gjatë politike dhe debatit në vend. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






