Transmetuar më 16-01-2026, 19:40

Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi paralajmëroi sot se në sesionin e ri të Kuvendit do të ketë një fluks ligjesh dhe nismash ligjore që përfshijnë drejtësinë, prokurorët e gjyqtarët dhe deri ndryshim të ligjit për mediat audiovizive.

Peleshi e bëri pohimin gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist ku gjendej dhe kabineti qeveritar i Edi Ramës.

Peleshi tha se projektligjet që lidhen me procesin e integrimit do të jenë kryefjala dhe prioriteti i padiskutueshëm.

Ai shtoi se që në seancat e para të këtij sesioni:

Do të shqyrtojmë ndryshimet në Kodin Penal për përmbushjen e piketave të BE-së, mbrojtjen e territorit, zgjerimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve;

Do të miratohen ndryshime në ligjin për organet e qeverisjes së drejtësisë dhe rritjen e efektivitetit, transparencës dhe integritetit të sistemit;

Do të përmirësohet ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të garantuar pavarësinë, paanësinë dhe llogaridhënien;

Do të miratohet ligji për konfliktin e interesave me instrumente kontrolli të brendshëm dhe të jashtëm;

Do të përshtatet ligji për komisionet hetimore sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;

Do të ndryshohet ligji për mediat audiovizive për transparencën e pronësisë dhe të drejtën e informimit.

Do të ndryshohet ligji për mbrojtjen nga diskriminimi për forcimin e rolit të Komisionerit dhe përafrimin me BE;

Do të miratohet ligji për lobimin, rritjen e transparencës së veprimtarisë lobuese.

Peleshi vuri në dukje faktin se ekzistojnë dy komisione të posaçme të rëndësishme, Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale.

"Shpresojmë që puna do të ecë, edhe siç është nisur në fillim, me opozitën sëbashku, por gjithësesi këto janë objektiva madhore që për asnjë arsye nuk do të duhet të ngecin, nuk do të ngelen në tentativvë, por brenda sesionit do të konkludojmë me rekomandimet përkatëse", tha ai.

Ndërsa tregoi se "gjatë këtij sesioni do të synojmë të miratojmë projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë".

Këtu Peleshi detajoi: "Ky është një ligj i ri, nuk e kemi patur deri tani. Kemi bërë një diskutim paraprak, parimor, por është një diskutim që do të përfshijë të gjithë deputetët, të 140 deputetët e parlamentit, ndaj presim kontribut nga secili prej jush për të patur më në fund një ligj organik për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, i cili edhe fuqizon rolin e Kuvendit, por besoj edhe i jep një status më dinjitoz çdo deputeti." /noa.al

Fjala e plotë e z.Peleshi:

së pari dëshiroj të uroj gjithë kolegët deputetë një vit të ri të mbarë dhe një sesion të ri parlamentar të suksesshëm, meqë është hera e parë që mblidhemi në këtë format.

Kryetari i partisë, Kryeministri foli dhe shtjelloi më së miri sfidën e madhe, që është kombëtare në fakt, integrimin në Bashkimin Europian, që është një projekt madhor historik ku Kuvendi i Shqipërisë natyrisht ka një rol të pazëvendësueshmë për të luajtur.

Sesioni i parë ka qenë një sesion me një volum të madh pune, të shtuar për shkak të kësaj agjende, por siç e tha dhe Kryetari i partisë sesioni në vijim, gjithë viti në vijim, madje dhe viti tjetër, do të ketë një volum vetëm në rritje.

Në sesionin e kaluar kemi zhvilluar 18 seanca plenare, janë miratuar 41 ligje dhe 64 vendime.

Ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me: përshpejtimin e anëtarësimit në BE, mbështetjen e reformave të qeverisë reformave transformuese; zhvillimin ekonomik, nxitjen e investimeve të huaja, mirëqeverisjen dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

U zhvilluan 2 interpelanca dhe 2 mocione me debat, të kërkuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Deputetët e Grupit tonë parlamentar mbajtën 230 diskutime, me kohëzgjatje 40 orë, ndërsa deputetët e opozitës 330 diskutime me kohëzgjatje 48 orë.

Këto shifra i përmenda për të treguar hapësirën opozitare që i është lejuar dhe krijuar opozitës përtej spekulimeve mediatike dhe perceptimit të deformuar që është përpjekur të krijojë në opinionin publik.

Dua ta falenderoj në këtë rast Grupin e PS për konstruktivitetin, pjekurinë politike dhe përgjegjshmërinë me të cilën ka përballuar këtë volum të madh pune, por edhe në kushte jo gjithmonë normale, edhe jashtë kulturës parlamentare për fat të keq. Ky grup parlamentar megjithëse është një grup i ri, i rinovuar, i rifreskuar me 53 anëtarë të rinj, ka treguar mënçuri dhe ka dëshmuar se forca e vërtetë janë argumentet e forta dhe jo tonet e larta.

Ky grup ka refuzuar të përfshihet në debate të personalizuar, të mbushura me fyerje, e ka treguar që kjo nuk është shenjë dobësie, por dëshmi force.

Unë si Kryetar i Kuvendit do të vazhdoj të përmbush detyrën e nderuar që më keni besuar, duke patur si objektiv vendosjen e një standardi europian etik, brenda kësaj legjislature, në Kuvendin e Shqipërisë.

Integrimi europian, ne e themi vazhdimisht duhet të filloj nga çdo qytetar duke reflektuar në standardet vetjake, e duke thënë këtë edhe ne padyshim duhet të jemi modeli për të reflektuar, për të ngritur standardin etik, kulturën parlamentare në nivelin e klubit të vendeve ku duam të bashkohemi dhe të anëtarësohemi.

II.

Europa ka qenë fokusi kryesor i punimëve të sesionit të kaluar parlamentar.

Gjatë vitit të fundit, Shqipëria shënoi rekord ndër vendet kandidate me ritmin më të shpejtë të avancimit drejt BE, si nga pikëpamja e hapjes së negociatave, ashtu edhe nga përmbushja e detyrimeve teknike dhe institucionale.

Më 17 nëntor 2025 siç e dimë përfundoi hapja e negociatave për të gjithë grup-kapitujt. Objektiv tani mbetet përmbyllja e tyre brenda vitit 2027, një objektiv i lehtë të thuhet, por shumë i vështië të realizohet, shumë ambicioz. Nuk di me këtë vend tjetër mund ta krahasojmë këtë ritmë të pritshmë, por gjithësesi ajo që na bënë të jemi optimist është fakti që nuk është një datë e fiksuar nga ne, nuk është një premtim elektoral, por është një datë e dakordësuar me institucionet e BE.

Në seancën plenare të 4 dhjetorit u miratuan ndryshimet në ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, të cilat përcaktuan procedurën e përshpejtuar për shqyrtimin e ligjeve të përafrimit me legjislacionin e BE.

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi dhe miratoi 24 projektligje, duke u fokusuar kryesisht në legjislacionin që lidhet me procesin e anëtarësimit.

Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian zhvilloi veprimtari me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe parlamente të vendeve kandidate, me fokus sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mirëqeverisjen.

Takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (28–29 tetor) u fokusua në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, lirinë e medias dhe bashkëpunimin rajonal.

U zhvillua sesioni i dhjetë i Shkollës së Integrimit Europian, me 48 pjesëmarrës, mbi procesin e zgjerimit, negociatat, rolin e aktorëve joqeveritarë dhe reformat.

Shërbimet parlamentare analizuan rekomandimet e Raportit të Progresit 2025 dhe përgatitën draft-Planin e Veprimit për Kuvendin, që do t’Iu dërgohet komisioneve për konsultim.

Kuvendi përmbushi detyrimet për pjesëmarrje në veprimtaritë e përbashkëta me Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare, në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror.

U përmbushën detyrimet për Grup-kapitullin 1 “Themelorët”, përfshirë raportimet për tre udhërrëfyesit: funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe shteti i së drejtës.

III.

Gjatë sesionit të kaluar u vijua me bashkëpunimin funksional me institucionet e pavarura, ndonëse ishte një vit i ngarkuar me zgjedhjet e 11 majit dhe fushatën elektorale, e cila jep natyrisht ndikimin e vet edhe në jetën dhe punën parlamentare, u mundësua që 27 institucione të pavarura të raportojnë, e për 22 prej tyre u miratuan dhe rezolutat përkatëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Ka pasur diskutime të thelluara, raportime në çdo komision dhe më pas edhe në seancat plenare, pavarësisht që siç e thashë në kushte jo normale pune gjithmonë.

Kuvendi zgjidhi më në fund një ngërç trevjeçar , zgjodhëm Avokatin e Popullit, si edhe drejtues të disa institucioneve të pavarura, përfshirë :

Komisionin Rregullator të KQZ, Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe strukturën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjatë shqyrtimit të buxhetit 2026 u garantua një rritje e financimit prej 11 % për institucionet e pavarura. Dua ta përmend që rreth 3/4 e këtij buxhetit shkon për institucionet të pavarura të drejtësisë, buxheti i së cilave gjithashtu u rrit me 12%.

Filloi rindërtimi i Platformës Ndërinstitucionale Online, si instrument për forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, rritjen e transparencës dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve nga administrata publike.

Do përmend shkurt dhe shpejt disa projekte dhe objektiva për këtë sesion të ri parlamentar.

Projektligjet që lidhen me procesin e integrimit do të jenë kryefjala dhe prioriteti i padiskutueshëm.

Që në seancat e para të këtij sesioni:

Do të shqyrtojmë ndryshimet në Kodin Penal për përmbushjen e piketave të BE-së, mbrojtjen e territorit, zgjerimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve;

Do të miratohen ndryshime në ligjin për organet e qeverisjes së drejtësisë dhe rritjen e efektivitetit, transparencës dhe integritetit të sistemit;

Do të përmirësohet ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të garantuar pavarësinë, paanësinë dhe llogaridhënien;

Do të miratohet ligji për konfliktin e interesave me instrumente kontrolli të brendshëm dhe të jashtëm;

Do të përshtatet ligji për komisionet hetimore sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;

Do të ndryshohet ligji për mediat audiovizive për transparencën e pronësisë dhe të drejtën e informimit;

Do të ndryshohet ligji për mbrojtjen nga diskriminimi për forcimin e rolit të Komisionerit dhe përafrimin me BE;

Do të miratohet ligji për lobimin, rritjen e transparencës së veprimtarisë lobuese.

Kemi dy komisione të posaçme të rëndësishme. Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale. Shpresojmë që puna do të ecë, edhe siç është nisur në fillim, me opozitën sëbashku, por gjithësesi këto janë objektiva madhore që për asnjë arsye nuk do të duhet të ngecin, nuk do të ngelen në tentativvë, por brenda sesionit do të konkludojmë me rekomandimet përkatëse

Gjatë këtij sesioni do të synojmë të miratojmë projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Ky është një ligj i ri, nuk e kemi patur deri tani. Kemi bërë një diskutim paraprak, parimor, por është një diskutim që do të përfshijë të gjithë deputetët, të 140 deputetët e parlamentit, ndaj presim kontribut nga secili prej jush për të patur më në fund një ligj organik për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, i cili edhe fuqizon rolin e Kuvendit, por besoj edhe i jep një status më dinjitoz çdo deputeti.

TRANSPARENCA do të jetë një tjetër synim i këtij sesioni. Kemi disa projekte interesante dhe besoj me impakt të shpejtë për rritjen e transparencës. Dua të veçoj Media room, është një projekt tashmë i buxhetuar në buxhetin e këtij viti, do të filloj menjëherë implementimi i një njësie të posaçme për komunikimin dhe arkivimin e punimeve parlamentare, të indeksuara dhe përpunuara me AI, sipas modeleve të parlamenteve të BE. Kjo e bën transparencën jo thjesht formale dhe teorike, por dhe praktike, sepse një volum i madh pune, projektligjesh, taktesh, punimesh të parlamentit, nëse nuk janë lehtësisht të kërkueshme dhe të aksesueshme lehtësisht pothuajse nuk janë, kështu që me ndihmën e AI dhe teknologjisë që po instalojmë do të jetë e mundshme që për deputetët, por dhe masmedian dhe publikun e gjerë të kenë mundësi, zonat e tyre të interesit, çështjet e interesit, ti kërkojnë dhe ti marrin në kohë pothuajse reale.

• Platforma e re e Konsultimit Publik ka hyrë në funksionim dhe lehtëson përdorimin dhe aksesin e qytetarëve në procesin ligjvënës.

• Aplikacioni për gjurmimin e akteve do të lehtësojë funksionin mbikëqyrës dhe monitorues të Kuvendit.

• Është në zhvillim sistemi i Transkriptit, i cili përmes përdorimit të inteligjencës artificiale do të shkurtojë afatet e zbardhjes së veprimtarisë parlamentare në kohë pothuajse reale dhe do të asistojë kështu më mirë punën e deputetëve.

Natyrisht është në zgjedhjen e grupeve parlamentare dhe çdo deputeti ta përdorë apo jo këtë avantazh të jashtëzakonshëm që sjellë kjo teknologji e re, por e kemi thënë edhe më parë, e ka thënë edhe më parë Kryetari i partisë në një mbledhje të grupit parlamentar, që ky grup e ka shprehur vullnetin për ta përdorur databazën dhe teknologjinë që po instalohet në Kuvend dhe për ta kthyer atë në një ndihmës apo në një asistent me AI për çdo deputet të këtij grupi, për grupet e tjera është çështje zgjedhjeje e tyre.

ROLI MBIKQYRËS I KUVENDIT

• Do të forcohet roli mbikëqyrës i Kuvendit për zbatimin e legjislacionit të përafruar, me prioritet sundimin e ligjit, të drejtat themelore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

• Do të zgjerohet bashkëpunimi me shoqërinë civile, me përfshirjen e grupeve të interesit dhe shoqërisë civile për informim, transparencë dhe llogaridhënie në procesin e anëtarësimit.

Do të intensifikojmë siç e tha dhe Kryetari i partisë, Kryeministri, diplomacinë parlamentare, sepse nëse të gjitha gjërat shkojnë siç duhet në fund të vitit 2027 përmbyllet procesi teknik dhe fillojmë menjëherë me ratifikimin e marrëveshjes me secilin prej parlamenteve, puna për të cilat duhet të fillojë që tani përmes kontaklteve, lobimit dhe diplomacisë parlamentare

Nismat qytetare dhe Konsultimi publik, fal riformatimit të komisioneve parlamentare dhe krijimit të komisioneve të reja, do të marrin një dimension të ri, do të krijohen hapësira të reja dhe korsi më të shpejta për jetësimin apo diskutimin e nismave qytetare dhe natyrsiht përfshirjen e publikut në vendimmarrje.

Do të zbatohet vlerësimi ex-post i ligjeve për të rritur funksionalitetin e procesit ligjvënës.

Procesi ligjvënës do të mbështetet më mirë dhe më shumë nga analiza të bazuara në kërkimin shkencor, pqrmes punës së Institutit të Kërkimeve parlamentare.

Do të vijojë zbatimi i sistemit e-Legislation, të mbështetur nga OSBE-së.

Manuali për procesin ligjvënës, si dhe veprimtaritë për edukimin demokratik, sepse siç u tha anëtarësimi në BE nuk është një proces vetëm i qeverisë, nuk është një proces vetëm i parlamentit, nuk është një proces vetëm i politikanëve, por i gjithë shoqërisë. Por e vërteta është që perceptimi është ndryshe, pritet si një punë për tu kryer nga ne, politikanët, ndërkohë ka shumë detyra për çdo qytetar, për institucionet tona të edukimit, sidomos për sipërmarrjen dhe unë ndaj të njëjtin shqetësim me Kryeministrin sa i përket disa sektorëve që realisht kanë një punë shumë të madhe për të bërë, siç janë ato që lidhen me sigurinë ushqimore, por jo vetëm.

Kështu që përmes Qendrës së Vizitorëve që do të hapim së shpejti dhe aktiviteteve të tjera do të mundohemi të shkëmbejmë më shumë me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që të jemi së bashku realisht dhe praktikisht në këtë proces.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit