Transmetuar më 16-01-2026, 17:04

Durrës – Arrestohet ish-drejtori i Burgut të Durrësit, masë sigurie edhe për doktoreshën e IEVP

Policia e Durrësit ka lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga ish-drejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, Indrit Cërloj, 48 vjeç, banues në Durrës.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Cërloj u gjet dhe u arrestua në lagjen nr. 6 të qytetit të Durrësit.

Për ish-drejtorin e IEVP Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Po me të njëjtin vendim gjykate, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për shtetasen Ylfete Sema, 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, e dyshuar gjithashtu për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Vala e arresteve erdhi një ditë pasi ministria e Drejtësisë shkarkoi dy zyrtarët duke i hapur rrugën procedimit penal.

Gjithçka nisi pasi më herët u arratis në mënyrë spektakolare nga spitali i Durrësit, i paraburgosuri Altin Ndoci, i akuzuar nga SPAK për disa vrasje.

Ndoci ende nuk është lokalizuar dhe mbetet në liri.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit