

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e katër personave është regjistruar pasditen e sotme në qarkun e Dibrës.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 15:40, në aksin rrugor Peshkopi–Maqellarë, pranë fshatit Dovalan, janë përplasur dy automjete që drejtoheshin nga shtetasit K. L., 68 vjeç, dhe N. J., 57 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të lënduar të dy drejtuesit e mjeteve, si dhe bashkëshortet e tyre, shtetaset H. J., 55 vjeçe, dhe V. L., 66 vjeçe. Të plagosurit janë transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes më të rënduar shëndetësore, shtetasi K. L. dhe bashkëshortja e tij V. L. janë dërguar me helikopter drejt Tiranës, për trajtim më të specializuar.
Të dhëna nga vendngjarja: Përplasje kokë më kokë në aksin Maqellarë–Peshkopi, katër të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Maqellarë–Peshkopi, në vendin e njohur si karburanti i Trepçës, ku dy automjete janë përplasur kokë më kokë.
Si pasojë e përplasjes së fortë kanë mbetur të lënduar drejtuesit e mjeteve dhe pasagjeret, përkatësisht bashkëshortet e tyre. Të plagosurit janë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore.
Shtetasit Kapllan Lika dhe bashkëshortja e tij, Vere Lika, të cilët udhëtonin me një automjet tip Opel, po transportohen me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tip Ford, Novruz Jashari, dhe bashkëshortja e tij, Hane Jashari, po marrin mjekim në Spitalin Rajonal të Dibrës, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Qarkullimi në këtë segment rrugor ka qenë i vështirësuar për disa minuta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






