

Durrës, 16 janar 2026 – Vetëm një ditë pas shkarkimit nga detyra, ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, është arrestuar nga autoritetet, në lidhje me arratisjen e të paraburgosurit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Altin Ndoci.
Lajmi është konfirmuar nga burime të Policisë së Shtetit për noa.al.
Sipas informacioneve zyrtare, arrestimi i Cërloj lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen e arratisjes nga ambientet e sigurisë së lartë të burgut. Me vendim të Gjykatës së Durrësit, është vendosur gjithashtu masa e arrestit në shtëpi për shefen e Shërbimit Shëndetësor në Burgun e Durrësit, Ylfete Sema.
Të dy zyrtarët akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
PËRDITËSIM: Durrës – Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga ish-drejtori i IEVP Durrës.
Ekzekutohet masa e sigurisë edhe për doktoreshën e IEVP Durrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






