

Policia e Korçës ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedim penal ndaj dy punonjëseve të një dege postare në qarkun e Korçës, të dyshuara për vjedhje fondesh publike dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, procedimi penal ka nisur për veprat “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim.
Nën hetim janë:
P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, e cila ushtronte detyrën e përgjegjëses së zyrës postare Vishocicë në Devoll;
E. Ç., 27 vjeçe, banuese gjithashtu në Bilisht, me funksion arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, dy shtetaset kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës, duke shfrytëzuar pozicionet që mbanin.
Sipas Policisë, 29-vjeçarja dyshohet se ka abuzuar me fondet e pensioneve dhe ndihmës ekonomike, kryesisht të përfituesve që jetonin jashtë Shqipërisë, duke falsifikuar nënshkrimet përkatëse. Ndërkohë, 27-vjeçarja dyshohet se ka ndërhyrë në evidencat financiare, duke manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesat në librat e arkës dhe në sistemin elektronik të menaxhimit të parasë cash, me qëllim fshehjen e përvetësimit të fondeve.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë çështje.
Çfarë thotë Posta Shqiptare
Posta Shqiptare tha sot se, pas konstatimit të disa parregullsive në administrimin e fondeve financiare në Zyrën Postare Bilisht, Filiali i Postës Shqiptare Korçë ka ndërmarrë të gjitha veprimet administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Si rezultat i kontrolleve të brendshme të kryera nga strukturat përkatëse të institucionit, janë evidentuar dyshime të arsyeshme për mungesë fondesh dhe parregullsi në dokumentacionin financiar.
Për këtë arsye, Posta Shqiptare, nëpërmjet Filialit Korçë, ka depozituar zyrtarisht kallëzim penal pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar fillimin e procedimit penal për personin përgjegjës, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Çfarë tha Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, për shtetaset:
-P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, Devoll; -E. Ç., 27 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë arkëtare-llogaritare, në degën postare Devoll.
Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës, duke shpërdoruar detyrat. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike (kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit), duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemit të menaxhimit të parave cash, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






