Transmetuar më 16-01-2026, 13:43

DURRËS – Rasti i tre fëmijëve të mitur, të gjetur në kushte të rënda mbrëmjen e së dielës në Durrës, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje problematikat e thella familjare që çojnë në situata të tilla dramatike.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan fëmijët në gjendje të rëndë, të paushqyer dhe të lënë pa kujdes prindëror, çka nxiti reagime të shumta dhe akuza të ndërsjella mes palëve të përfshira.

Pas denoncimit publik të nënës së fëmijëve nga ish-vjehrra e saj, përmes një përballjeje mediatike, ku kjo e fundit e akuzoi për neglizhencë dhe shpërdorim të parave të destinuara për fëmijët, çështja mori përmasa edhe më të gjera. Nga ana e saj, 33-vjeçarja i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se pamjet e publikuara në rrjetet sociale janë të manipuluara.

Ditën e sotme, për herë të parë ka reaguar edhe babai i tre fëmijëve, i cili në një intervistë televizive ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjeve. Ai ka deklaruar se divorci me ish-bashkëshorten ka ardhur si pasojë e tradhtisë, duke e akuzuar atë për sjellje të papërshtatshme, të cilat sipas tij kanë ndodhur edhe në prani të fëmijëve.

Babai ka pohuar se disponon prova filmike për këto pretendime dhe ka hedhur poshtë akuzat se është i varur nga alkooli apo lojërat e fatit. Po ashtu, ai ka deklaruar se konflikti mes tyre ka përfunduar me denoncime në polici, pas një incidenti ku pretendohet se një person i afërt me ish-bashkëshorten ka ushtruar dhunë ndaj njërit prej fëmijëve.

Autoritetet nuk kanë bërë ende një deklaratë të plotë mbi përgjegjësitë konkrete të palëve, ndërsa rasti vijon të hetohet nga strukturat përkatëse, me fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve të mitur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit