

Ina Zhupa ngre alarmin për Fjalorin e ri të gjuhës shqipe: Gafa, diskriminim dhe përkufizime jashtë ligjit
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Ina Zhupa, ka ngritur sot shqetësime serioze mbi Fjalorin e ri të gjuhës shqipe, të përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe aktualisht i hedhur për konsultim publik. Sipas saj, dokumenti paraqet mungesë profesionalizmi, gafa të rënda, përkufizime diskriminuese dhe mospërputhje me legjislacionin në fuqi.
Zhupa thekson se gjuha është themeli i kulturës kombëtare dhe se një fjalor nuk është thjesht një listë fjalësh, por një akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Për këtë arsye, çdo përkufizim duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me realitetin shoqëror bashkëkohor.
Ajo njofton se do të kërkojë seancë dëgjimore në Komisionin për Kulturën, ku Akademia e Shkencave të japë shpjegime të hapura për publikun dhe komunitetin shkencor mbi mënyrën e hartimit të fjalorit, grupet e punës, skedat gjuhësore, punën kërkimore dhe konsultimet e kryera. Sipas saj, kjo çështje nuk do të trajtohet politikisht, por si interes publik, kulturor dhe kombëtar, pasi bëhet fjalë për një fjalor zyrtar të financuar me fonde publike.
Shembujt problematikë të evidentuar:
“Abandonim” – Futja e kësaj fjale si zë në fjalorin shqip-shqip, duke i dhënë shpjegim fjalën shqipe “braktis”, konsiderohet e papranueshme, pasi certifikon si “shqip” një huazim nga italishtja.
“Onlajn” – Transliterimi mekanik i “online” nga anglishtja, pa kriter shkencor dhe pa nevojë reale gjuhësore, sipas Zhupës, deformon shqipen në vend që ta pasurojë.
Përkufizimet e “djalë” dhe “vajzë” – Zhupa i cilëson thellësisht diskriminuese. “Djalë” përshkruhet me nota pozitive (trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë), ndërsa “vajzë” shoqërohet me përkufizime negative dhe paragjykuese, çka normalizon një mentalitet maskilist përmes një dokumenti normativ.
Terminologjia politike – “parti” – Përkufizimi si “organizatë e një klase a shtrese shoqërore që lufton për interesat e saj” bie në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin për partitë politike dhe realitetin pluralist demokratik.
Sipas Zhupës, fjalori nuk mund të jetë ideologjik, paragjykues apo i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare, pasi ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton çfarë konsiderohet “shqip e saktë”.
“Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale, si dhe një diskutim të hapur e të thelluar,” përfundon ajo.
Fjalori i ri i gjuhës shqipe përgatitur nga Akademia e Shkencave paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi! Atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj.
Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë.
Fjalori i ri i hedhur në konsultim publik ka gafa dhe qëndrime të cilat nuk mund të anashkalohen dhe janë tejet problematike
Si Kryetare e Komisionit për Kulturën, do të kërkoj një seancë dëgjimore në komision , ku Akademia e Shkencave të japin shpjegime profesionale dhe të hapura për publikun dhe komunitetin shkencor mbi mënyrën e hartimit, grupet e punës, skedat gjuhësore, punën kërkimore, konsultimet e bëra.
Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe element thelbësor i identitetit kombetar. Kjo seancë dëgjimore nuk do trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale dhe një diskutim serioz.
Përgatitja e fjalorit nuk është vetëm punë gjuhësore, por edhe akt kulturor e kombëtar, që ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të një kombi.
Disa nga shembujt publikë janë qartësisht shfaqje e një punë jo cilësore dhe problematike në shumë nivele. Si për shembull:
1. Futja e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip. Nuk mund të certifikohet si “shqip” një fjalë e huaj, në këtë rast nga italishtja, dhe t’i jepet si shpjegim fjala shqipe “braktis”.
2. Futja e fjalës “onlajn” nga anglishtja “online”.
Transliterimi mekanik i huazimeve, pa kriter shkencor dhe pa nevojë reale gjuhësore, nuk e pasuron shqipen, por e deformon atë.
3. Përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve “djalë” dhe “vajzë”.
Në fjalorin e ri, “djalë” përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë.
Ndërsa “vajzë” shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese.
Kjo frymë është jo vetëm e papranueshme shkencërisht, por edhe e rrezikshme shoqërisht, sepse normalizon një mentalitet maskilist dhe diskriminues përmes një dokumenti normativ të gjuhës.
4. Terminologjia politike, rasti i fjalës “parti”.
Shpjegimi i dhënë në fjalorin online është në kontrast të plotë me Kushtetutën, ligjin për partitë politike dhe konceptet moderne demokratike.
Përkufizimi i “partisë” si “organizatë e një klase a shtrese shoqërore që lufton për interesat e saj” i përket një paradigme ideologjike të tejkaluar, jo realitetit pluralist dhe kushtetues të Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.
Fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet “shqip e saktë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






